CEL mbajti trainim për gazetarë dhe studentë të gazetarisë mbi mënyrën e raportimit të gazetarëve rreth çështjeve të komunitetit LGBTI si dhe për nevojën e sfidimit të diskriminimit. Trajnimi, ku merrnin pjesë gazetarë dhe studentë të gazetarisë, u zhvillua nga aktivisti për të drejtat e LGBTI dhe gazetar nga Shqipëria, Kristi Pinderi, në hapësiren e Youth Initiative for Human Rights.
Në këtë aktivitet, u trajtuan problemet dhe të drejtat e komunitetit LGBTI me shembuj konkretë nga Kosova dhe Shqipëria. Pinderi potencoi rëndësinë që i duhet kushtuar marrëdhënies së komunitetit LGBTI me median duke inkurajuar paraqitjen sa më të shpeshtë në media të komunitetit dhe shtimin e hapësirës që media i ofron problematikës së të drejtave të njeriut.
“Për fat të keq në median shqiptare ka më shumë vend për polemikat se për problemet reale dhe shqetësimet e komunitetit LGBTI”, tha Pinderi. Megjithatë, sipas tij, komuniteti LGBTI dhe lëvizja për të drejtat e këtij komuniteti nuk duhet ta lerë veten jashtë medias dhe nuk duhet të injorojë kërkesat e saj. “Pavarësisht se polemikat nuk informojnë, ato mund të jenë një shans në duart e komunitetit LGBTI për të edukuar shoqërinë por dhe median vetë”, shtoi Pinderi.
Sipas aktivistit Blert Morina, CEL Kosova ka mbajtur edhe më herët gjatë këtij viti trajnime mbi të drejtat e komunitetit LGBTI dhe çështje të tjera që si synim kanë mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtës për liri dhe shprehje për gjithsecilin. Gjatë trajnimit u shfaq edhe dokumentari i parë me metrazh të gjatë për historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri, SkaNdal, fitues i çmimit të parë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (Pogradec 2015), si dhe pjesëmarrës në konkurrimin zyrtar në disa festivale ndërkombëtare mes tyre dhe në Festivalin e Sarajevës në 2014.
Ky trajnim është mbështetur nga Civil Rights Defenders.