CEL Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës realizuan tryezën aktive të diskutimit “Gjuha e urrejtjes dhe raportimi etik mbi çështjet LGBTI+ në Kosovë: Ndërlidhja me Homofobinë, Bifobinë dhe Transfobinë”.
Gjatë këtij takimi, profesorë, gazetarë/e, redaktorë/e, studentë/e të gazetarisë, përfaqësues/e të shoqërisë civile dhe qytetarë/e diskutuan mbi rolin e medias në raportimin etik, të saktë dhe të përgjegjshëm për çështjet LGBTIQ+ në Kosovë.
Në kuadër të tryezës, Arbër Selmani nga CEL Kosova dhe Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ligjëruan mbi terminologjinë queer, standardet etike të raportimit, shmangien e stereotipeve dhe sensacionalizmit, si dhe rëndësinë e ndërtimit të narrativave mediatike dhe akademike që respektojnë dhe fuqizojnë komunitetet queer.
Diskutimi theksoi nevojën për media më të përgjegjshme, hapësira publike më të sigurta dhe një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj raportimit për komunitetet LGBTIQ+ në Kosovë. Ky aktivitet u realizua nga CEL Kosova në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Kosovë.
