Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Të dalit hapur

19 Janar, 2024

12 tetor, 2021

T.R.

Çfarë do të thotë të dalësh hapur?

Dalja hapur, ndryshe e njohur si “Coming Out”, është procesi i tregimit të orientimit seksual dhe/apo identitetit gjinor tek një apo një grup individësh siç është familja, shoqëria, kolegët e punës, etj. Të dalit hapur është fenomen që tashmë është bërë i zakonshëm tek personat LGBTIQ+ si rezultat i një shoqërie heteronormative dhe supozimit të shumicës se të gjithë jetojnë një jetë heteroseksuale brenda kornizave binare. Qasja e tillë nga shoqëria për një kohë të gjatë tashmë ka dëmtuar personat LGBTIQ+, duke vështirësuar jetesën e tyre në hapësira publike dhe ato personale. Kjo pabarazi dhe mohim i jetesës autentike ka krijuar një valë të re tek personat LGBTIQ+ duke inkurajuar aktivistë e aktiviste të dalin hapur, si në familje dhe shoqëri të tyre, ashtu edhe publikisht nëpër media.

Të dalit hapur njihet si hap i guximshëm dhe inkurajues marrë parasysh rrethanat aktuale nëpër botë, e veçanërisht në një shoqëri si në Kosovë ku në një intervistë të realizuar para disa viteve, mbi 80 % e personave të intervistuar kanë shprehur se janë kundër të pasurit një fëmijë që mund t’i përket komuniteteve LGBTIQ+.

Ky proces shpeshherë mund të jetë i vështirë emocionalisht, e ndonjëherë edhe i rrezikshëm. Prandaj, të dalit hapur është proces që duhet bërë gradualisht, hap pas hapi, duke testuar situatën dhe përgatitur veten për përballje me reagime nga më të ndryshmet – fatkeqësisht, përfshirë edhe ato negative apo jopranuese.

Qysh me dalë hapur?

Qysh me dalë hapur – një ndër pyetjet më të shpeshta nga personat LGBTIQ+ në mbarë botën, e më së shpeshti nga fëmijët dhe adoleshentët, e përgjigjet ndaj së cilës janë të shumta e nga më të ndryshmet.

E vërteta qëndron në atë se nuk ekziston ndonjë mënyrë e caktuar se si duhet të dalim hapur, e as rezultatet e reagimet e të tjerëve nuk janë të parashikueshme. Sidoqoftë, janë disa rrethana të cilat mund të analizohen për një rrugëtim më të sigurt gjatë daljes hapur tek një familjar, shok/shoqe apo dikush tjetër.

Një hap që mund ta ndërmerrni përgjatë këtij procesi është të mos reagoni në afekt. Është më se kuptueshme se fshehja e seksualitetit dhe/ose identitetit dhe jeta e dyfishtë mund të mbledhë shumë emocione përbrenda të cilat kanë nevojë të shpërthejnë. Ndonëse është e vështirë që të përmbahemi nganjëherë, reagimet e tilla shpërthyese mund të na shpien në situata të palakmueshme dhe ta rëndojnë procesin tuaj të zhvillimit dhe te pranimit ndaj vetes. Shpërthimet emocionale ndonjëherë mund të rezultojnë edhe në trauma.

Testoje situatën. Para se të flasësh me dikë për veten, tentoni të flisni rreth temave të komuniteteve LGBTIQ+ dhe shikoni se çfarë opinione kanë ata për këto çështje. Ndonëse një gjë e tillë ndihmon në mënyrën se si t’i qaseni personit tjetër, jo gjithmonë siguron në parashikimin e reagimeve të tyre. Personi në fjalë mund të jetë përkrahës ndaj jush për shkak të afërsisë, por të ketë opinion tjetër për këtë fenomen në përgjithësi. Gjithashtu, mund të jetë edhe e kundërta – të jetë neutral me personat LGBTIQ+ por të has në vështirësi ta pranoj dikë të afërm. Sido që të jetë, vazhdoni të fokusoheni në veten.

Gjeni momentin kur ju ndiheni gati dhe mos u ndikoni nga faktorë të jashtëm. Ju nuk i detyroheni askujt t’i tregoni për orientimin seksual dhe/apo identitetin gjinor tuaj. Ju jeni në kontroll të këtij procesi! Kujdesuni për veten dhe praktikoni dashurinë ndaj vetës për t’u fuqizuar dhe luftuar për vetveten.

Si duhet të veprojnë të afërmit?

Kur dikush i afërm ju drejtohet me qëllimin që t’iu tregoj për orientimin seksual dhe/apo identitetin gjinor të tyre, një nga reagimet më të mira është frenimi nga një reagim i ekzagjeruar.

Sipas mendimit të një numri të konsiderueshëm të personave LGBTIQ+, frika më e madhe gjatë procesit të të dalit hapur është se si personi tjetër do të reagojë. Prandaj, para se të reagoni, sigurohuni që po e dëgjoni personin se çfarë ka për të thënë dhe gjithmonë mbani mend që ata janë duke iu treguar një informacion shumë personal që ka qëndruar i mbyllur me vite të tëra.

Ofroni ndjenjën e besimit dhe siguroni që gjithçka do të mbetet sekrete. Meqenëse informacioni i tillë është shumë personal, mos keqpërdorni besimin e një personi të afërm.

Ta tregosh një sekret të tillë të dikujt tjetër është një ndër veprimet më keqdashëse, pavarësisht zbulimit të qëllimshëm apo nga neglizhenca. Të tregosh sekretin dëmton mirëqenien e personit, duke e futur në telashe të tjera që personi fillimisht nuk i ka paramenduar se mund të ndodhin, e të cilat ndikojnë emocionalisht, psiqikisht dhe nganjëherë edhe fizikisht, si dhe rezulton në humbjen e besimit në njerëz të tjerë në të ardhmen. Të dalit hapur është vendim personal që i takon vetëm personit që dëshiron të dalë hapur, në momentin që vendos vetë.

Ku tjetër të gjeni mbështetje nëse jeni person LGBTIQ+?

Nëse nuk keni dikë në familje apo shoqëri me të cilët mund të flisni për këto çështje, kontaktoni me persona të tjerë LGBTIQ+ që njihni apo vizitoni vendet e frekuentuara nga persona LGBTIQ+.
Në fund, mbani mend që edhe nëse nuk dilni hapur, ju jeni pjesë e komuniteteve LGBTIQ+ dhe do të jeni gjithmonë të pranuar, si një familje e dytë. Madje, pa dijeninë tuaj, ju jeni inkurajues dhe shembull i rezistencës për persona më të rinj të komuniteteve LGBTIQ+.

Po ashtu, për të përfituar shërbime për mirëqenien tuaj, gjithmonë mund të kërkoni të mbani seanca psikologjike dhe pranoni shërbime ligjore nga organizatat që punojnë për të drejtat e personave LGBTIQ+ në Kosovë. Këto shërbime do të sigurojnë që ju të kujdeseni për veten tuaj dhe të kërkoni të drejtat tuaja në mënyrë më të sigurt dhe të jeni të shoqëruar përgjatë këtyre rrugëtimeve me persona të informuar dhe që ju bëjnë të ndiheni rehat.

Ju jeni të vlefshëm dhe ju përkisni në këtë shoqëri!