Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Fëmijëria

19 Janar, 2024

26 prill, 2023

Me u rrit në një vend ku duhesh me e mohu veten, në një vend ku dashnia për ty është e ndalume, e ndalume deri në atë pikë ku dënohesh edhe me ligj pse ti e don dikon. Një vend i tillë që e ndali edhe Paradën e Krenarisë për 100 vite e që ti dënohesh edhe nëse veç e mban një flamur me ngjyra. Ky vend që pe përmendi, fatmirësisht nuk është Kosova por  Rusia, e për mua me u rritë si një lesbike atje ka qenë pak e vështirë.

Thonë se këtë dashni e ke të imponuar, e qysh ka mujt me mu imponu në një vend të tillë ku një puthje mes dy grave nuk ke mujt me pa as nëpër filma.

Se harroj kurrë atë ditë, katër vjeçe, ishte hera parë kur pashë një pikturë të një gruaje të zhveshur, hera ime e parë që pashë taman se si duket trupi i një gruaje. Isha veç fëmijë por aq shumë më tërhiqte ajo që pashë sa që mbeta aty me orë duke e pa. Mbas asaj dite fillova me mendu “pse gjithmonë në filma puthen vetëm djem me vajza”, “pse nana o bashkë me babin e jo me një grua tjetër”, “a mundet me pas kontakt fizik edhe mes grave”? Isha fëmijë e këtyre pyetjeve e mendimeve nuk u dhashë shumë rëndësi.

Fillova klasën e parë, e gëzimi dhe dëshira jem për me u shoqëru me fëmijë tjerë ishte e madhe. E pashë aty vajzën ma të bukur që kam pa ndonjëherë dhe patjetër që e bona shoqe menjëherë, por pëlqimi im për të ishte shumë më i madh se sa vetëm pëlqim për një shoqe, e kur u rrita e kuptova që ishte simpatia e dashnia jem e parë.

U rrita, e këto mendime dhe emocione vazhduan me u rritë me mua. Vendi ku jetoja ishte akoma i njëjtë, ishte e ndaluar me e dashtë një grua, një grua tjetër e një burrë, një burrë tjetër. Më mundonte kjo çdo ditë e më shumë. Çdo ditë e më shumë mu dashke me e mohu atë që e ndjeja, mu duk vetja anomali, mendova se unë s’jam normal e se ajo çka po ndjeja e çka po mendoja ishte mëkat. Ja imponova dhe e detyrova veten që të më pëlqente një djalë, se kështu o “normalja”, kështu duhet me funksionu unë. Madje fillova me dalë me djem, a funksionoi najher? Asnjëherë! Përkundrazi, u irritova edhe nga ata e edhe nga vetja, e ky irritim nuk vinte se këta djem ishin të këqinj, por vinte nga fakti se për mua ata ishin veç shokë, shokë që nuk mujta kurrë me i pa me sy tjetër. Vazhdova me dal me ta e mua çdo herë e më shumë mu duk se po dal me vëllain tim, e ky sen ka ndiku aq shumë në anën tem emocionale e sidomos psiqike. Ah sa shumë dëme më ka bo.

U kthyem në Kosovë, edhe kësaj here u gëzova, prita që këtu me mujt me e pranu atë çka e ndjejë. U gabova, gabova se krijova pritshmëri prej një vendi rural të Kosovës. Edhe një herë tjetër u gjykova për atë që ndjeja, për atë që dua e madje u gjykova deri në pikën ku shoqet menduan se për çdo vajzë që shoh kam tërheqje seksuale. Edhe pse qasja në Kosovë ishte ma ndryshe, prapë u ndiva keq, prapë mu dasht me e mshel brenda vetes një pjesë shumë të rëndësishme time. Prapë edhe njëherë u mbylla, e dëshprume e kësaj radhe prej pritshmërive që kisha për këtë vend.

Fillova fakultetin, më në fund fillova diçka të re, diçka që e kam dasht shumë për veten . Erdha në Prishtinë, e Prishtina edhe pse nuk ishte aq dinamike sa Moska, prapë ishte shumë ma ndryshe prej fshatit ku po jetoja. Fillova me u sociolaizu e me ndejt me njerëz tjerë, krejt ma ndryshe prej atyre që kisha njohtë kur u ktheva në Kosovë. Pak nga pak fillova me u ndi e pranume, nuk u gjykova për veshjen time, për stilin e flokëve e as për orientimin tim seksual. Pak nga pak e pashë se këtu, me këta njerëz unë mundem me qenë vetja, muj mu pranu e me e shpreh atë se çka ndjejë. Mundem lirshëm me flirtu me një grua, e madje lirshëm mundem me frekuentu vende me to, e lirshëm me ja shpreh dashninë para tjerëve. Fillova me pa se këta njerëz nuk e kanë problem me më pranu, nuk e kanë problem orientimin tim seksual, përkundrazi më përkrahën e ishin shumë të lumtur për dashninë time të re. E ma në fund unë morra pjesë edhe në Paradën e Krenarisë, e me e përjetu ni sen të tillë, për mua që u rrita me një vend ku Parada e Krenarisë u ndalu me ligj, ke përnime gëzim shumë i madh. E qysh mos me u kon gëzim, me pa e me qenë pjesë në gjithë atë atmosferë, ku secili ke ma i emocionum se tjetri, secili tu e shpreh ato që u detyru me mbajt mrena vetes ndër vite, qysh mos me u gëzu e mos me u lumturu kur për herë të parë mujta me dal me kcy e me knu për ato që e ndjejë. A ke qef? Qef të tillë s’kisha përjetu najher e s’po di as qysh me e shpreh me fjalë gjithë atë emocion që e përjetova atë ditë, ditë në të cilën mujta me e shfry krejt ato që kom dashtë gjatë gjithë jetës me shfry.

Sot unë jam e hapur për ndjenjat e mia, i shpreh dhe i vlerësoj pëlqimet e mia e kjo mua m’bon me ndi lumturi, se të paktën në këtë vend unë mundem me e dashtë atë që don zemra me e dashtë, edhe pse shumë sene janë të parregullume edhe pse diskriminim për ne ka akoma por prapë i falenderojë po këtë pjesë tjetër të njerzve, që na pranun e që na dojnë për këtë që jemi.