Ne, organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, përmes kësaj shkrese shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë tonë mbi një numër të dispozitave të Draft Kodit Civil dhe mbi procesin përmes të cilit janë shmangur qëndrimet, komentet dhe propozimet tona në lidhje me rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë.
I kujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se kemi mbështetur dhe kemi qenë partnerë me Grupin Punues brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe me Projektin e Kodit Civil të financuar nga Bashkimi Evropian. Madje në takimet e Grupit Punues të Ministrisë së Drejtësisë për Kodin Civil, ne kemi marrë zotim të qartë nga Ministria e Drejtësisë që është në favor që Kodi Civil të rregullojë martesën në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e datës 29.12.2021, ka miratuar Draft-Kodin Civil përkundrejt që nga Ministria e Drejtësisë kemi marrë premtime që do të punojmë më tutje bashkarisht për mënyrën se si përmbajtja e Draft Kodit Civil të sillet në pajtim me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara në rendin tonë kushtetues dhe ligjor. Me miratimin e Draft Kodit Civil, në përmbajtjen aktuale, Qeveria e Kosovës, ka shkelur Kushtetutën dhe ka cënuar të drejtave fundamentale të garantuara në rendin tonë Kushtetues dhe ligjor. Ministria e Drejtësisë dhe Projekt Kodi Civil kanë shmangur dhe injoruar qëndrimet dhe propozimet tona konkrete lidhur me martesën dhe bashkëjetesën.
Draft-Kodi Civil përkufizon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy personave të sekseve të ndryshme. Po ashtu, përkufizon që burri dhe gruaja kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje. Draft-Kodi Civil nuk e rregullon martesën mes personave të seksit të njëjtë por parasheh mundësinë e krijimit të bashkësive civile të regjistruara, por që kushtet dhe procedurat parashihen të rregullohen me një ligj të veçantë. Të gjitha partneritetet e mundshme (martesa apo bashkëjetesa) duhet të rregullohen me Kod Civil. Kjo qasje e rregullimit të kuspartnerhteve dhe procedurave të partneritetit mes personave të seksit të njëjtë me ligj të veçantë tenton të ndajë të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga ato të qytetarëve të tjerë të Kosovës, përderisa në Draft-Kodin Civil janë rregulluar kushtet dhe procedurat për martesë dhe bashkëjetesë në mes të burrit dhe gruas. Një qasje e tillë është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Kosovë, dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën për martesë dhe krijim të familjes. Është e qartë që në Kushtetutën e Kosovës nuk ka gjini të përcaktuar, që do të pengonte çiftet e seksit të njëjtë të martoheshin dhe të krijonin familje. Më tej, Kushtetuta e Kosovës siguron edhe shtresa të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Neni 24 i Kushtetutës – Barazia para ligjit garanton që çdo person gëzon të drejtën e mbrojtjes ligjore pa diskriminim duke përfshirë edhe orientimin seksual si bazë të mbrojtur. Kushtetuta lejon zbatueshmëri direkte të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe të Protokolleve të saj në legjislacionin e brendshëm të Kosovës, dhe përcakon që në rast të konfliktit të dispozitave ligjore të mbizotërojnë ato. Më tej, në pajtim me Nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës, të drejtat themelore të njeriut duhet të interpretohen në harmoni me praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. (“GjEDNj”)
Rrjedhimisht, duke rregulluar martesën dhe bashkëjetesën si raporte të lejuara vetëm për personat me gjini të kundërt, fillimisht Ministria e Drejtësisë dhe tani edhe Qeveria e Kosovës kanë shkelur thellësisht të drejtat e njeriut dhe barazinë para ligjit.
I kujtojmë Ministrisë së Drejtësisë që me qëllim të shmangies së kësaj situate ne kemi kërkuar vazhdimisht dhe kemi qenë të përfshirë në debat, mirëpo mos marrja parasysh e qëndrimit tonë për këtë çështje është i papranueshëm.
Ju bëjmë thirrje institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesëve të trupave diplomatike që punojnë në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Kosovë, që të inkurajojnë dhe të kushtëzojnë asistencën e tyre me progresin që Kosova bënë në garantimin e të drejtave të njeriut në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet dhe mekanizmat ligjor dhe institucional për harmonizimin e Kodit Civil në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova
Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK
Civil Rights DefendersQendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut – YIHR-KS