CEL Kosova, CRD, CSGD, QKSGJ dhe YIHR vazhdojnë me kërkesën e njëjtë të shtruar para një viti për shkarkimin e Duda Balje, Kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kushtetuta e Kosovës si akti më i lartë juridik garanton të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit si dhe parandalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, përderisa Kodi i Mirësjelljes së Deputetëve, bazuar në parimin e Vetëmohimit, saktëson se deputetët marrin vendime që janë vetëm në interes të publikut.
Duda Balje ka deklaruar në vazhdimësi se është kundër martesave të seksit të njëjtë duke u bazuar se këto janë mendime të saj personale dhe duhet të kuptohen kështu. Për ne vazhdojnë të qëndrojnë të papranueshme deklarata të tilla të cilat vecojnë dhe cenojnë një grup të qytetarëve sidomos duke marrë parasysh pozitën e saj si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Të drejtat e njeriut nuk janë vetëm për një grup të caktuar qytetarësh por për të gjithë barabartë pa asnjë dallim. Personat LGBTQI+ janë qytetarë të Republikes së Kosovës dhe duhet të gëzojnë të drejtën e martesës njëjtë si personat heteroseksualë. Pozita e saj si kryetare e këtij komisioni është t’i mbrojë dhe promovoj këto të drejta, me theks të veçantë të drejtat e grupeve të cenueshme.
Andaj, organizatat e lartëpërmendura insistojnë në shkarkimin e saj nga pozita e Kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione pasi që qëndrimet e saj po ndikojnë në cënimin e të drejtave të një grupi të rëndësishëm shoqëror.
Rikujtojmë që Duda Balje nuk është aty për të dhënë mendimet e saja personale por ka përgjegjësi dhe detyrë institucionale që të mbrojë dhe respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut.