Kemi kënaqësinë ta prezantojmë ekspozitën Heartbreak Hotel të kuruar nga Bjeshkë Guri dhe Simon Kurti në Grand Hotel Prishtina të premten me datën 6 dhjetor në ora 19:00.
Që nga kohët e lashta, thyerja e zemrës është interpretuar përmes metodave dhe kulturave të ndryshme që përpiqen të kuptojnë dhe t’i atribuojnë kuptime të ndryshme. Procesi i transformimit që pason pas thyerjes së zemrës shpesh shihet si një proces që lidh humbjen personale me të vërtetat universale, duke ofruar hapësirë për rritje dhe introspektivë. Kjo ekspozitë na fton të inspektojmë peizazhet e brendshme lidhur me mallin, identitetin dhe shpresën.
Nëpërmjet tre dhomave të hotelit, duke shfaqur poezi dhe instalacione multimediale, ekspozita eksploron thyerjen e zemrës përmes këndvështrimeve të artistëve të rinj. Rrëfimet dhe reflektimet e tyre ekspozojnë brishtësinë e dashurisë dhe kompleksitetin e ekzistencës queer.
Kjo ekspozitë implementohet nga CEL Kosova me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.