Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Vetvetja tjetër

19 Janar, 2024

15 shtator, 2021

Shend Badivuku

Kur marrim vesh se një çift gej janë ndarë, zakonisht pas dy ose tre muajve lidhje, dëgjojmë arsyet si ‘’ishte i/e frikësuar nga përkushtimi’’ ose ‘’kishte nevojë të punonte me vetveten’’. Përderisa këto nuk janë arsye që veçanërisht nuk i kanë edhe çiftet straight, personat e komunitetit LGBTQ+ përballen me një problem që është më rrënjësor.

Personave të komunitetit LGBTQ+, që nga fëmijëria e tyre, u tregohet se të qenit vetvetja është diçka e gabuar. Qoftë ajo nga një perspektivë fetare, patriarkale apo tradicionale, në Kosovë këta persona u nënshtrohen situatave çorientuese, paragjykuese, e ndonjëherë edhe traumatike, gjatë rrugëtimit të të gjeturit vetveten. Dhe kur më në fund e gjejnë, e kuptojnë që vetvetja e tyre nuk është edhe aq e mikpritur në rrethin e tyre familjar dhe/ose shoqëror. Sigurisht që flasim për të shumtën e rasteve, ngase, fatmirësisht, familjet që mirëpresin fëmijët e tyre me të gjitha ngjyrat ekzistojnë.

E kur e kuptojnë se vetvetja e tyre nuk mirpritet në familje, ata/ato krijojnë një ‘’vetvete’’ tjetër. Kjo ‘’vetvete’’ është zakonisht si rezultat i pritjeve të rrethit të tyre që kanë për atë person. Disa dalin mrekullueshëm në shkollë, edhe pse drejtimi në të cilin janë nuk është aspak ai që dëshirojnë, por kanë frikë nga zhgënjimi i prindërve; disa bëhen persona pushover, ku nuk prishin asnjë qejf apo dëshirë të shoqërisë së tyre ngase kanë frikë se shoqëria mund t’i lë; disa kërkojnë këshillim te feja, si e vetmja rrugë për të maskuar ndjenjën e fajit që ndjejnë brenda tyre.

Në thelb, personat e komunitetit LGBTQ+ kanë të bëjnë me shumë shtirje gjatë jetës së tyre. Disa mund të jenë të bindur se e kanë bërë një balancë mes jetës së shtirur dhe asaj reale, por në shumë raste, njëra ndikon më shumë te tjetra pa dijeninë e personit.

Ata/ato janë rritur duke dëgjuar fjalët “të dua ashtu siç je’’, ‘’më pëlqen çdo pjesë e jotja’’ ose ‘’dua gjithçka rreth teje’’ nga familjarët dhe/ose shoqëria e tyre, mirëpo sa vlerë ka ajo ‘’gjithçka’’ kur ai person nuk e shfaq para atyre që i thonë këto fjali. Si mund të të dojë ashtu siç je dikush që nuk të njeh të tërin? Nuk njeh një pjesë thelbësore të vetes tënde? Atëherë po që është vështirë të besosh fjalën ‘’të dua’’. Ata nuk të duan ty, ata duan ‘’vetveten tjetër’’ tënden, është ngushëllim ky që shumë persona të komunitetit LGBTQ+ marrin për veten.

E nëse është shumë e vështirë që ata/ato t’i besojnë fjalëve ‘’të dua’’ që vijnë nga një familjar ose rreth shoqëror, atëherë pse duhet të jetë e lehtë t’i besojnë një personi me të cilin janë në një lidhje romantike? A janë të dashuruar me mua, apo me ndonjë ide të cilën kam krijuar pa vetëdije për ‘ta? E kështu, ata/ato bien në një humnerë të mendimit-tej-mase, ankthit, paranojës e ndonjëherë edhe depresionit. Dhe kultura e Grindr, domethënë kultura e të takuarit për seks e jo më shumë, dhe one-night stands nuk është se ka ndihmuar në zhdukjen e këtij fenomeni.

Jo që ka ndonjë gjë të gabuar me këto kultura, thuajse i tërë komuniteti janë pjesë e tyre, mirëpo ato nuk ofrojnë diçka më shumë se aq, një natë të mrekullueshme dhe asgjë afatgjate. Kur është dëgjuar hera e fundit se një çift janë takuar nëpërmjet Grindr dhe tani janë duke jetuar bashkë në një apartament me pamje nga qyteti me dy qenushët e tyre? Në Kosovë të paktën nuk është dëgjuar kurrë.

Ndoshta është diçka që personat e komunitetit e anashkalojnë komplet, duke menduar ‘’meqë dashuria s’do të jetë e mundur, të paktën do kënaqem’’. Ndoshta disa kanë frikë të ndjekin këtë ‘’ëndërr’’ ngase, përgjithësisht, si shoqëri, jemi të mësuar të ndjejmë turp sa herë bëjmë diçka jashtë normave shoqërore, ndërsa një lidhje e shëndetshme romantike mes dy burrave/grave është diçka tejet utopike. E fatkeqësisht, norma shoqërore për komunitetin LGBTQ+ këto ditë është “Sex, Drugs and Rock and Roll”. Ose ndoshta Rock and Roll duhet të zëvendësohet me Techno.    Ajo që do ndihmonte në krijimin e një rehatie dhe vetëbesimi te personat e komunitetit do të ishte përfaqësimi medial i tyre. Sikur të kishin pasur një portretizim të dashurisë mes gjinisë së njëjtë në media, televizor apo filma, ku ajo paraqitet si diçka tejet normale. Është e vërtetë që përmbajtje të tillë gjejnë nga vendet jashtë Kosovës, mirëpo kjo vetëm i kujton sa mirë është atje e jo këtu. Filmi “Martesa”, një film që flet për një trekëndësh dashurie, ku një burrë është i detyruar të martohet me një grua, ngase frikësohet të dashurojë një burrë tjetër, ka qenë një gur shkalle për këtë kauzë, mirëpo nuk duhej të ndalohej aty. Kemi nevojë për persona gej, lezbike, trans, jo-binarë, queer në media, televizor dhe filma, ku flasin shqip, ku tregojnë se si është të jetosh në Kosovë dhe të kesh punën e ëndrrave, partnerin e jetës apo një qëllim jetësor.