31 korrik, 2018
Blert Morina, ka paraqitur kërkesën për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit, në mënyrë që ato të reflektojnë identitetin e tij gjinor. Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë dhe Agjencia për Regjistrimin Civil kanë refuzuar këtë kërkesë duke shkelur të drejtën e Blertit në privatësi dhe obligimet për mbrojtje të të drejtave të njeriut që dalin nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Padia për konfliktin adminsitrativ është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo kjo padi, në rastin konkret paraqet mjet jo-efektiv juridik për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore dhe rrethanave të posaçme të rastit. Për këtë është dorëzuar kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhej të pranohet për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese sepse në rastin konkret padia në Gjykatë Themelore nuk paraqet mjet efektiv juridik në kuptimin e nenit 32 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 13 Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e poashtu nuk e siguron adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut brenda një kohe të arsyeshme sipas nenit 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përmes kësaj deklarate, e përkrahim fuqimisht kërkesën e Blert Morinës për njohjen e identitetit të tij gjinor në dokumentet e identifikimit dhe njëherësh e mbështesim kërkesën e tij të deponuar në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Agjencisë për Regjistrim Civil me të cilën është refuzuar kërkesa e tij për ndërrimin e emrit dhe shënuesit të gjinisë.
Ne qëndrojmë të bashkuar në solidaritet me pjesëtarët e komuniteteve LGBTI, në këtë rast komunitetin transgjinor në Kosovë dhe në përpjekjet e vazhdueshme për shoqëri të lirë e të barabartë. Secilit duhet t’i garantohet e drejta që të shpërfaqë lirshëm identitetin e tij/saj gjinor dhe t’i njihet ligjërisht gjinia me të cilin ai/ajo identifikohet. Mosnjohja e identitetit gjinor nga shteti i Kosovës paraqet shkelje të të drejtave fundamentale përkatësisht, të drejtës në privatësi, të drejtës në jetë të dinjitetshme dhe dështon të ofrojë mbrojtje nga diskriminimi për personat transgjinor.
Ne poashtu insistojmë që institucionet e shtetit duhet ta kenë të qartë që qytetarët e Kosovës nuk janë grup homogjen, por i takojnë grupeve të ndryshme shoqërore siç reflektohet edhe në legjilsacionin e shtetit tonë. Nevojat e komunitetit transgjinor janë nevoja të qytetarëve të Kosovës, prandaj përjashtimi i tyre nënkupton dështim në mbrojtjen e të drejtave të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Prandaj, kërkojmë që institucionet shtetërore t’i përfillin obligimet pozitive të shtetit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ta zbatojnë praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut siç kërkohet nga neni 53 i Kushtetutës së Kosovës. Demokracia dhe drejtësia nuk duhet të jenë përjashtuese, ato duhet sendërtuar mbi bazën e barazisë dhe pranueshmërisë për të gjithë qytetarët. Tani, më shumë se kurrë, është koha që institucionet tona dhe shoqëria të angazhohen mirëfilli që të ofrojnë mbrojtje dhe respektim të të drejtave të komunitetit transgjinor.
Organizatat:
Alter Habitus – Institute for Studies in Society and Culture, Care International in Kosovo, Kosovar Civil Society Foundation – KCSF, Shtatëmbëdhjetë, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, Haveit, Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Democracy for Development (D4D), KIPRED, Kosovar Youth Council – KYC, Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Organizata Çohu / Preportr, ORCA Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, PEN – Peer Educators Network, Advocacy Training and Resource Center – ATRC, European Centre for Minority Issues Kosovo, Qendra Kosovare për Studime Gjinore- QKSGJ, Artpolis – Art and Community, Centre for Equality and Liberty – CEL Kosova, Clard Kosovo, Csgd Kosovo, Kosova Women’s Network, sbunker, Venture UP, KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims, Qendra per Politika dhe Avokim, Termokiss, TOKA.
Nëse keni dëshirë t’i bashkoheni thirrjes, atëherë ju lutem të na shkruani në info@cel-ks.org