Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

CEL Kosova mbështet rekomandimin e Amnesty International për Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e strehimores për personat LGBTI+ në Kosovë

8 Dhjetor, 2023

Amnesty International së fundmi ka publikuar raportin ‘’Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i përmbushë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje’’. Ky raport na dhuron një pasqyrë të situatës së trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe ofron rekomandime për Qeverinë e Kosovës dhe secilin akterë. 

Gjatë këtij raporti është konstatuar se shteti ka dështuar për të mbështetur në mënyrë të duhur të mbijetuarat që të largohen nga situatat abuzive. Përgjigja shtetërore ndaj këtyre rasteve nuk është mjaftueshëm e përqëndruar në të mbijetuarat, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit.

Në këtë raport thuhet se politikat e Kosovës neglizhojnë nevojat e të mbijetuarve për mbështetje afatgjatë dhe kapacitetet për të jetuar një jetë të pavarur.

Kjo situatë reflekton domosdoshmërisht edhe tek strehimoret e pamjaftueshme dhe të nënfinancuara për të mundësuar një strehimore të funksionojë më mirë.

Personat LGBTI+ ballafaqohen çdo ditë me gjuhë të urrejtjes ku kjo sjell  dhunë fizike, psiqike, ekonomike dhe seksuale nga familja, shoqëria dhe instituiconet. Individët e këtyre komuniteteve ngacmohen, kërcënohen dhe diskriminohen nga çdo spektër i shoqërisë.

Ndonëse raportimet në polici janë të pakëta, kjo na tregon që personat LGBTI+ nuk ju besojnë institucioneve shtetërore, e ato raste që paraqiten shpesh nuk shkruhen, nuk ngriten hetime dhe nuk specifikohen që dhuna po ju ndodh për shkak të identitit gjinor dhe orientimit seksual.

Situata e personave LGBTI+ është edhe më e pasigurt pasi që nuk ka asnjë strehë të specializuar LGBTI+ në Kosovë dhe ata/ato janë të detyruar të kërkojnë mbrojtje dhe strehim në Shqipëri, që nuk janë gjithmonë të disponueshme dhe të qasshme, thuhet në raportin e Amnesty International.

CEL përkrah rekomandimet e dala nga ky raport sidomos ato që kanë të bëjnë për autoritetet shtetërore që lidhen me personat LGBTI+.  Një ndër to është ndërtimi i një strehimore për personat LGBTI+ për të cilat CEL Kosova dhe CSGD tash e sa vite janë duke avokuar.

Ne i bashkohemi thirrjes që qeveria duhet të intensifikojë përpjekjet për krijimin e strehimores  të specializuar për personat LGBTI+. Ndërkohë, të sigurojë që të mbijetuarit LGBTI+ të dhunës në familje të kenë qasje në strehim tjetër të sigurt, mbështetje psikosociale dhe forma tjera të mbështetjes së nevojshme për të qenë në gjendje të largohen nga familjet ose partnerët abuzues, siç thuhet në raportin e Amnesty International.