Në ligjëratën e mbajtur në Departamentin e Sociologjisë, Rina Braimi – Drejtore e Programeve në CEL Kosova, solli një analizë të thelluar mbi shfaqjen dhe konsolidimin e lëvizjes kundër gjinore në Kosovë, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë rajonal dhe global.
Ajo theksoi se kjo lëvizje nuk është thjesht një reagim spontan ndaj avancimit të të drejtave gjinore dhe LGBTI+, por një projekt i strukturuar politik dhe ideologjik që synon të sfidojë dhe të kthejë prapa arritjet në fushën e barazisë.

Diskursi kundër gjinor, sipas saj, shpesh ndërtohet përmes narrativave mbi “familjen tradicionale”, identitetin kombëtar dhe rendin moral – narrativa që instrumentalizohen nga aktorë politikë, fetarë dhe mediatikë për të krijuar panik moral dhe për të mobilizuar rezistencë ndaj reformave progresive.
Në një kontekst si ai i Kosovës, ku proceset demokratike dhe institucionale janë ende në zhvillim, këto diskurse mund të kenë ndikim të madh në politikëbërje dhe hapësirën publike, duke penguar avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të personave LGBTI+. Ky aktivitet u mbështet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.