Bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë, këtë javë organizuam në Gjilan një forum diskutimi me zyrtarë policorë nga rajoni, me fokus në trajtimin e rasteve që prekin komunitetet LGBTI+ dhe në rolin e Policisë së Kosovës për garantimin e mbrojtjes dhe qasjes së barabartë në drejtësi.
Gjatë diskutimit u trajtuan korniza ligjore që mbron të drejtat e personave LGBTI+, praktikat dhe procedurat policore për trajtimin e rasteve, sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë në punën e tyre të përditshme, si dhe raste konkrete që u mundësuan pjesëmarrësve të shkëmbejnë përvoja dhe të identifikojnë mënyra për përmirësimin e reagimit institucional.
Forumi krijoi një hapësirë të rëndësishme për dialog të hapur, ndërtimin e besimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, me synimin për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, pa dallim.