21 janar, 2022
Dënojmë fuqishëm dhe shprehim shqetesimin tonë për shkeljen etike dhe standardet profesionale të gazetarisë në raportimin mbi orientimin seksual dhe martesën e një qytetari në Kanada.
Me publikimin e këtij lajmi në mënyrë senzacionale, duke përdorur tituj tendenciozë dhe me potencimin e panevojshëm të lidhjes familijare të personit në fjalë me një politikane në Kosovë është cënuar rëndë privatësia e tij dhe e familjarëve, si dhe janë shkelur parimet themelore të kodit etik të gazetarisë.
Këto raportime senzacionale dhe joprofesionale kanë nxitur një numër të madh të fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhë të urrejtjes, duke e fuqizuar një situatë të pasigurt për personat LGBTI në Kosovë.Rikujtojmë përgjegjësinë e mediave për lejimin e publikimit të këtyre komenteve në faqet e tyre zyrtare, të cilat mund të nxisin veprime kriminale ndaj një personi apo një grupi të caktuar të shoqerisë.
I bejme thirrje mekanizmave vetëkontrollues të mediave që të reagojnë dhe te ndermarrin veprime përkatëse ligjore dhe etike, për të ndalë komentet denigruese dhe për të dënuar nxitjen e urrejtjes që është vepër penale sipas Kodit Penal, Neni 141, paragrafi 1.
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Qendra për barazi dhe Liri – CEL Kosova
Rrjeti I Grave të Kosovës – RrGK
Civil Rights Defenders – CRD
Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut – YIHR KS