Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Reagim ndaj Emilia Rexhepi

14 Nëntor, 2023

25 mars, 2021

Emilia Rexhepi është zgjedhur Zëvëndëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut.

E njëjta, në intervistën me Kallxo.com në vitin 2019, kur u pyet se nëse është për apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, tha se është KUNDËR.

Fakti që një person që përfaqëson dhe thirret në të drejta të njeriut e që synim gjoja ka “respektimin e ligjit për punësimin e komuniteteve pakicë” dhe “avansimin e grave në të gjitha lëmitë shoqërore” dhe njëkohësisht diskriminon publikisht komunitete të tjera – LGBTI – është ironike dhe lë të nënkuptohet se i gjithë avokimi dhe lobimi për të drejta të njeriut nuk është i sinqertë.

Mospërfaqësimi i denjë i deritanishëm në nivel institucional ka bërë që të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e personave LGBTI+, të mos jenë asnjëherë prioritet i qeverisë sonë e që vazhdimisht të shkelen e të mos respektohen.

Në Kosovën me një shoqëri me shumicë homofobike e transfobike është i nevojshëm ndërgjegjësimi nga lart poshtë. Përderisa personat LGBTI+ nuk do të kenë përfaqësim të dinjitetshëm nga udhëheqësit e vendit, ata do të vazhdojnë të diskriminohen në baza ditore.

CEL Kosova I bën thirrje Emilia Rexhepit që të dal publikisht me një deklaratë dhe të tërheq qëndrimin e saj të mëparshëm pasi që tashmë përgjegjësitë e saj për përfaqësim të popullit Kosovar janë shtuar me automatizëm që kur është përzgjedhur Zëvëndëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut.

Personat LGBTI+ janë qytetarë dhe taksapaguesë të Kosovës dhe duhen trajtuar në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë dhe t’u respektohen të drejtat.