25 mars, 2021
Republika e Kosovës ka një rrugë të gjatë përpara në drejtim të të drejtave të njeriut. Meqë të drejtat e personave LGBTI+ janë pjesë përbërëse e pakos së të drejtave të njeriut, duhet bërë punë e konsiderueshme për të arritur një nivel të kënaqshëm të zbatimit të plotë dhe avancimit të mëtejmë të të drejtave të këtyre personave.
Puna dhe përfaqësimi i denjë për personat LGBTI+ do të jenë sfiduese për mandatin e ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës meqënëse në përbërje të tij janë një numër i madh i deputetëve të cilët janë deklaruar haptazi se janë kundër apo neutral ndaj çështjes së të drejtave LGBTI+.
Është mëse shqetësuese fakti që personat që përfaqësojnë popullatën e Kosovës e të cilët zotohen të punojnë në të mirën e popullit kanë besime personale dhe mendësi homofobike e transfobike dhe që përjashtojnë dhe privojnë një komunitet të plotë nga të drejtat e tyre.
Mosangazhimi i qeverive të kaluara në këtë drejtim ka rezultuar në një pozitë shumë të pafavorshme e të cënueshme që personat LGBTI+ sot gëzojnë. Rastet e krimit dhe gjuhës së urrejtjes janë duke u shtuar gjithmonë e më shumë, veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë ku kanë shënuar një rritje si asnjëherë më parë.
Masa urgjente janë duke u ndërmarrë për një mori personash LGBTI+ nga CEL Kosova, integriteti fizik e psikologjik i të cilëve është duke u cënuar nga vetë familjarët e tyre deri tek kalimtarët e rastit nëpër rrugë.
Marrë për bazë këtë situatë të përkeqësuar, qeveria e ardhshme duhet me deomos të ndërmarrë hapa konkret dhe të jetë më gjithëpërfshirëse pasi që personat LGBTI+ pothuajse se çdo herë mbesin jashtë planeve, programeve dhe politikave në nivel institucional. Personat LGBTI+ kanë nevojë për funksionim më të mirë dhe të besueshëm të institucioneve të rendit me qëllim që rastet e dhunës dhe torturës të parandalohen.
CEL Kosova u bënë thirrje udhëheqësve të ardhshëm të Parlamentit të Kosovës që t’i prioritizojnë problemet dhe sfidat e personave LGBTI+, mirëqenien fizike dhe psikologjike të tyre.
Po ashtu, u bëhet thirrje udhëheqësve të ardhshëm që të punojnë drejt ndërgjegjësimit brenda parlamentit për të votuar në favor të martesave në mes të gjinisë së njëjtë në Projekt Kodin Civil, e drejtë kjo që tashmë ofrohet nga Kushtetuta e Kosovës por që bie ndesh dhe ka mbivendosje me ligjet e tjera të Republikës së Kosovës.
Kosova duhet ndjekur shembullin e Parlamentit Evropian i cili së fundmi ka shpallur Bashkimin Evropian zonë të lirisë për personat LGBTI+ pasi që një ndër kërkesat për integrim në Bashkim Evropian është respektimi i të drejtave të njeriut.