Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë si mision promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të drejtat në jetë, integritet dhe dinjitet për gratë, kanë pranuar me shqetësim të thellë veprimet e televizionit “Klan Kosova” dhe mënyrën se si ky televizion e trajton një rast të dhunës në familje në një reality show.
Në një situatë të papranueshme, produksioni i emisionit “Big Brother Vip Kosova 3” në këtë televizion ka vendosur të përfshijë në grupin e banorëve një burrë i cili është i dyshuar se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila është gjithashtu pjesëmarrëse në këtë program. Ky veprim përbën një injorim flagrant të ndjeshmërisë ndaj viktimave të dhunës sidomos në një periudhë kur gratë po ballafaqohen me dhunë sistematike.
Është e pakuptimtë dhe në kundërshtim me parimet e drejtësisë që një media të vendosë në të njëjtin ambient të dyshuarin për ushtrim të dhunës në familje dhe viktimën e dhunës në familje, kur një rast është në procedurë gjyqësore.
Kjo qasje është një precedent i rrezikshëm dhe ritraumatizim i mijëra viktimave të dhunës në familje që mund të shohin dhe përjetojnë skena të tilla në një medium me frekuenca kombëtare, i cili përcillet nga një audiencë kaq e gjerë në Kosovë dhe më tej. Për më tepër një veprim i tillë dekurajon viktimat e dhunës në familje të raportojnë rastet dhe të flasin publishkisht për to.
Nga pikëpamja etike dhe ligjore, prodhimi i një përmbajtjeje të tillë në një media kombëtare është shqetësues. Klan Kosova dhe produksioni i “Big Brother” duhej të kishin marrë parasysh standardet profesionale dhe etike, të cilat kërkojnë që rastet e dhunës dhe abuzimit të trajtohen me ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Për më tepër, ky veprim bie ndesh me angazhimet që kanë ndërmarrë institucionet tona dhe shoqëria civile për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe për të parandaluar dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.
Ftojmë Klan Kosovën që menjëherë të largojë dhunuesin nga ky program dhe të kërkojë falje publike për shqetësimin që u ka shkaktuar secilës viktimë të dhunës në familje dhe publikut në Kosovë.
Anëtarët e Human Rights Network:
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)
Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS)
Qendra për Barazi dhe Liri – (CEL Kosova)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)
Iniciativa e Re Sociale (NSI)