Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Fuqia e të qenit Trans 

29 Mars, 2024

Historia se si filloi Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë së Transgjinorëve.

Në hapësirën e qetë të shtëpisë së tyre në Michigan, të ulura krah për krah në divan, Rachel dhe Susan ndanë historinë e tyre të jashtëzakonshme të jetës me CEL Kosova, duke hedhur dritë mbi iniciativën transformuese e cila tani festohet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë së Transgjinorëve.

Për Rachel, udhëtimi filloi me një ide të thjeshtë, një shkëndijë frymëzimi që ndezi një lëvizje globale. Rachel, vizionarja pas Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Transgjinorëve, kujtoi momentet kryesore që e çuan atë në krijimin e kësaj dite ikonike. “Doja një ditë ku mund të fokusoheshim në mrekullinë e të qenit gjallë dhe trans,” shpjegoi Rachel. 

Dëshira e saj për të festuar jetën dhe dukshmërinë rezonoi thellë, duke krijuar një lëvizje që do të përhapte shpresë dhe fuqizim në mbarë botën.

Historia e jetës së Rachel thur së bashku sfidat e saj personale dhe punën e saj për ndryshim.

Në vitin 1978, në moshën tetë vjeçare, Rachel doli haptas tek prindërit e saj si transgjinore, gjë e cila u pasua me reagime të rënda, faj dhe shqetësim. 

Vitet e mëvonshme u kaluan nën hijet e turpit shoqëror por udhëtimi i Rachel u shënua me qëndrueshmëri dhe zbulim të vetvetes “Unë u shndërrova nga një person i turpëruar në një person  krenar” Rachel reflekton. Pavarësisht pengesave, ajo qëndroi e fortë.

Pyetja, çfarë do t’i thoshit vetes suaj 8-vjeçare, me gjërat që dini tani, Rachel u përgjigj me një përgjigje të bukur dhe të ngrohtë: “Unë do të i thoja se do të bëhet mirë. Do të i thoja se i gjithë mundi do të shpërblehet dhe gjëja më e mirë është se do të shpërblehet në mbarë botën” duke iu referuar ndikimit që Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë së Transgjinorëve ka në të gjithë globin.

Të dalësh hapur është një sfidë e cila shoqërohet nga një udhëtim vetë-zbulimi i mbushur me emocione. Susan thekson se “Të gjithë duhet të dalin hapur në mënyrën e tyre, dhe se si ata/ato ndihen rehat”. Kjo tregon se secili/a e ka historinë përsonale të daljes hapur, Susan shton se “Nuk ka dy histori të njëjta.”

Diskriminimi dhe vështirësitë në të mësuar (sfida me sindromën Tourette) ishin pengesa të tjera me të cilat u përball Rachel, por ajo i trajtoi të gjitha sfidat me vendosmëri të palëkundur. “Unë nuk jam perfekte, por gjithsesi, unë jam një luftëtare, inicioj gjëra dhe jam një udhëheqëse. Nuk duhet të jesh perfekt për të ndryshuar botën”, tha Rachel, me zërin e saj të mbushur me bindje.

Pavarësisht pengesave dhe vështirësive, Rachel arriti të dal në pah jo si viktimë, por si heroinë, duke e përqafuar identitetin e saj me krenari.

Ndërsa Rachel dhe Susan ndanë historitë e tyre, ishte e qartë se partneriteti i tyre ishte zemra dhe shpirti i punës së tyre avokuese. Rachel, ëndërrimtarja me ide të pakufishme, e gjeti gjysmën e saj të përsosur te Susan, forcën praktike që i bëri këto ëndrra të vininë në jetë. Së bashku, ato filluan një mision për ta bërë botën një vend më gjithëpërfshirës dhe më pranues për komunitetin transgjinor.

Për ta bërë Ditën Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Transgjinorëve më vizibile, ato filluan një fushatë duke iu drejtuar organizatave dhe aktivistëve anembanë globit. “U dërgova mesazh të gjithëve, duke u thënë ‘Hej, po e bëj këtë, a jeni të interesuar?”, kujton Rachel. Ajo që filloi si një iniciativë e vogël shpejt u shndërrua në një lëvizje globale, duke përhapur shpresë dhe dukshmëri për individët transgjinorë në mbarë botën.

Nëpërmjet punës së tyre avokuese dhe krijimit të Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Transgjinorëve, Rachel dhe Susan shpresojnë të lënë pas një trashëgimi fuqizimi dhe mundësie. “Dua të lë trashëgiminë se gjithçka është e mundur”, pohon Rachel. “Nëse e kam bërë unë, kushdo në Kosovë mundet”.

Gjatë intervistës, na la të kuptohet që dashuria a tyre është e thurur me fijet e qëndrueshmërisë, mbështetjes dhe përkushtimit të palëkundur. “Dua që të jetë e ditur që e dua shumë, e dua Susanën time,” tha Rachel, me sytë e saj që shkëlqenin.

Në fund Rasheli ndau mirënjohjen dhe dashurinë e saj të përzemërt për të gjithë ata/ato që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim. 

Udhëtimi i Rachel shërben si një kujtesë se edhe përballë fatkeqësive, ka gjithmonë shpresë. Përmes guximit dhe qëndrueshmërisë së saj, ajo jo vetëm që ka ndryshuar botën, por ka frymëzuar shumë të tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Transgjinorëve, ne nderojmë dashurinë, qëndrueshmërinë dhe guximin e individëve si Rachel dhe Susan. Ndërsa inspirohemi nga historia e tyre, le të ndërmarim iniciativa për të krijuar një botë ku dashuria nuk njeh kufij dhe dukshmëria e të qenurit Trans shkëlqen për t’u parë nga të gjithë.

CEL Kosova ndan mirënjohje me Rachel dhe Susan për ndarjen e historisë së tyre me ne.