Po vazhdon me qëndru e hapur në kryeqytet ekspozita ‘Me hijen e lirimit mbështjellë‘.
E menduar prej kontekstit specifik të shtetit rishtazi të pavarur të Kosovës, ekspozita “Me hijen e lirimit mbështjellë” mban në thelbin e vet pyetje rreth lirisë — jo vetëm lirisë për t’u dukur e për të dashur siç dëshirojmë, por edhe lirisë për të ekzistuar në shumësi, duke iu shmangur kufijve të identiteteve një-lineare dhe lirisë për të qenë agjentë/e politikë/e që sjellim në jetë vizione radikale e të ndërthurura të të qenit queer.
Kësisoj thonë nga Sekhmet Institute, të cilët edhe e organizojnë ekspozitën e cila po qëndron e hapur prej të mërkurës në të dielën, prej orës 12:00 – 20:00 në katin e gjashtë të Hotelit Grand në Prishtinë.
Ekspozita është një prej momentumeve të artit dhe kulturës gjatë këtij shtatori. 20 artistë nga e mbarë bota kanë zbarkuar në Kosovë në ekspozitën ndoshta të parën queer dhe kaq voluminoze në Kosovë. Mes tyre qëndron edhe Arkivi i CEL Kosova, një nismë e cila synon të dokumentojë historikun e komuniteteve LGBT+ në Kosovë.
“Duke dashur që të përfshijmë edhe lëvizjet e mëhershme queer që kanë ndodhur, lëvizjet që I kanë vënë themelet që ajo të ndodhë, kemi përfshirë edhe Arkivin e CEL Kosova. Po ashtu kemi përfshirë edhe veprat siç janë fotografitë arkivore që tregojnë jo-konformitetin gjinor prej fundit të shekullit XIX, mbledhur prej Piro Rexhepit dhe zinës së udhëhequr prej punëtorëve/eve anarkistë/e të seksit “Kraximo” (1981-93, Athinë), botuar prej Paola Revenioti. Nderimi për punët ndërbrezore ka shtuar vlerë në këto trashëgimi dhe në vetë ekspozitën“ tregojnë nga Sekhmet Institute.
“ Në kuadër të ekspozitës ne kemi ndërtuar edhe një program publik me performanca nga artistë të vendit dhe të huaj. Gjatë hapjes ne patëm performancën e Uresa Ahmetit, një shkrimtare, performuese dhe aktiviste feministe nga Kosova dhe një Va-Bene Fiatsi trans grua artiste nga Ghana, Afrika. Menjëherë të nesërmen patëm një ligjeratë nga Piro Rexhepi dhe një bisedë me artistët Silvi Naçi, Astrit Ismaili dhe Ana Ehrenstein. Me datën 6 shtator në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës kemi një bisedë mes Silvi Naçit dhe kuratorëve Shaunak Mahbubani. Ndërsa me datë 21 shtator do të kemi dy performance nga dy artistë nga Maqedonia e Veriut dhe një artiste nga Brazili me bazë në Gjermani. Ndërsa çdo javë do të organizojmë edhe vizita në ekspozitë me kuratorët dhe disa prej artistëve“ tregojnë nga Sekhmet Institute.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 29 shtator.
Credits të fotografive: @grid_visualss _@zana_begolli