Në vitin 2024, CEL Kosova ka funksionuar në shpejtësi të mahnitshme. Plot aktivitete, partneritete, plot emocione, plot sfida – për të cilat kemi qenë të gatshëm dhe i kemi kaluar me sukses, dhe shumë përkrahje edhe prej komuniteteve LGBTIQ+. Poshtë jemi mundu me permbledhë vitin në disa prej momentumeve më të rëndësishme.
Shkolla Vjetore për Studime Krahasuese në Gjini dhe Seksualitet këtë vit mbajti edicionin e dhjetë. Rreth 35 studentë u regjistruan të ishin pjesë e Shkollës, ndërsa qindra të tjerë kanë ndjekur të gjitha ligjëratat përgjatë ditëve të kësaj shkolle.
Trajnimet me individët e komuniteteve LGBTIQ+ kanë vazhduar edhe përgjatë 2024. Bashkëpunimet me kreatorë, me kompani të dizajnit e marketingut dhe me tjera fusha ishin të frytshme, duke fuqizuar kësisoj pjesëmarrësit në aftësi të cilët ata kanë me i përdorë tutje në karrierën e tyre.
Java e Krenarisë në Kosovë, bashkë me partnerët tanë, sivjet ka shpërthyer edhe më shumë, duke treguar insistimin tonë për t`i treguar shoqërisë kosovare që personat LGBTIQ+ ekzistojnë dhe janë pjesë e kësaj shoqërie, pjesë madje e fuqishme që e plotëson figurën e përgjithshme. Aktivitete të shumta kanë mbledhur mijëra pjesëmarrës: parada, ekspozita, trajnime, panele diskutime, koncerte e publikime raportesh – të gjitha e kurorëzuan një Javë të Krenarisë revoltuese por edhe aktiviste.
Të tri programet e CEL Kosovës kanë qenë në full work! Aktivitetet e secilit program kanë ndihmuar në përmirësimin e jetës së individëve të komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë. Queer Talks, Drag Bingo, ekspozita, ligjërata, takime me individë vendimmarrës, pjesëmarrje në protesta dhe në tjera ndërhyrje aktiviste – të gjitha këto kanë ndihmuar dhe vazhdojnë e ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies së individëve të komuniteteve LGBTIQ+. Programi për mbështetje, programi për ngritjen e kapaciteteve dhe programi për aktivizëm e avokim gjithmonë harmonizohen në mënyrë që audienca jonë dhe targeti ynë të përfitojnë sa më shumë prej programeve dhe partneriteteve e donatorëve tanë.
Fushatat tonë i mbulojnë sidomos ditët e veçanta që shënohen gjatë vitit: Java e Ndërgjegjësimit Transgjinor, Dita e Lezbikeve, Dita e të Drejtave të Njeriut, Coming Out Day – këto janë veç disa prej ditëve që i festojmë shumë, aq sa e festojmë ekzistencën tonë, çdo ditë, me juve!
Nga Bursa jonë tradicionale në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në Kosovë, edhe këtë vit kemi prodhuar publikime shumë të arrira mbi jetën e individëve LGBTIQ+ në Kosovë. Studentë të UP-së kanë hulumtuar me muaj për tema të ndryshme: të gjitha publikimet i gjeni duke klikuar në këtë link! Fundvitin shfrytëzojeni me lexu diçka të hajrit, e me pasuru mendjen mbi pasurinë brenda komuniteteve tona.
Punëtoritë tona janë një prej momenteve kur e çmojmë më së shumti punën tonë. Këtë vit kemi realizuar punëtoritë mbi qasjen në drejtësi, mbi aktivizmin dhe avokimin, mbi shëndetin mendor dhe kujdesin e nevojshëm, krejt kjo për të ngritur sa më lart vetëdijen dhe intelektin tek individët e komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë.
Ka edhe shumë suksese e sfida tjera, por për 2024 po e mbyllim me kaq. Ju urojmë festat e fundvitit, edhe ju ftojmë me qenë miq e mbështetës e pjesëmarrës në aktivitetin e bujshëm të CEL Kosovës.