Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Përkrahja

19 Janar, 2024

26 prill, 2023

Me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia, me komuniku me njerëz që krejt çka kanë bo ka qenë me të shty me u ndje jo-normal, njerëz këta që asnjëherë nuk kanë dashtë me kuptu atë që ti don me shpreh, e krejt çka unë kom dashtë me shpreh ka qenë vetja ime. Nuk kam mujtë me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia për një kohë të gjatë edhe pse unë se kam pa asnjëherë si “jo-normale” atë se cka ndjejë.

 Pëlqimin për vajzat e kam kuptu dhe e kam pranu shumë e re, qysh adoleshente, dhe asnjëherë nuk jam ndje keq për këtë gjë. Por fakti që nuk kam mujt me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia, kjo po që më ka bo me u ndje keq.

 Një burg i ndjenjave. Jam ndje e bllokuar, e zënë në një grackë , e në këtë grackë mua më është dashur me e fsheh të vërtetën, e krejt kjo ka qenë e vështirë. Ka qenë e vështirë për faktin se jam ndje sikur jam duke e tradhëtuar besimin e njerëzve që i kam afër.

Ja nisa me shfaq e me komuniku për atë që ndjejë. Ja nisa me dal prej burgut në të cilin isha blloku. Fillimi i krejt kësaj ishte i vështirë se nuk e dija as qysh me vepru që njerëzit me e kuptu se krejt çka ndjejë unë është dashni. U ndjeva keq kur personat me të cilat u mundova me komuniku e pritën si diçka të keqe dashninë time, diçka aq të keqe sa që u munduan me më bind se kjo çka unë ndjej nuk është normale. Po kjo nuk më ndali mua me u shpreh, kjo nuk më futi prap në burgun e ndjenjave prej të cilit sapo kisha dal. Përkundrazi, kjo më shtyu edhe më shumë që unë me vazhdu e me u hap për ndjenjat e mia, sepse ajo çka ata po thonin nuk ishte e vërtetë, sepse përkundër fjalëve të tyre ajo se çka po ndjejë unë është normale dhe unë jam normale.

 E fola me vëllain e vogël e ai e priti mirë, po atë e kam shok shumë të mirë prandaj edhe vendosa që me fol me të së pari. E vëllai tjetër e zbuloi vet, e pa flamurin që po e mbaja në dhomë, e siç e kisha pritë prej tij, filloi me bo të madhe. Filloi me fol keq e me u qasë hala ma keq, krejt kjo veq për faktin se unë jam lesbike. Ke e vështirë në fillim që vëllai yt mos me pranu ato çka ti je. Po me kalimin e kohës u mësova me këtë realitet.

Frika jem ma e madhe ishte se qysh ka me e prit nana, e nëse ajo nuk e kish prit mirë atëherë kjo po që më kishte lëndu shumë. I tregova dhe e di se në fillim ajo nuk ka mujt me më kuptu, por nuk e ka shfaq mospëlqimin e saj as atëherë. Edhe pse për të ishte diçka që nuk e ka mendu se vajza saj ka me qenë, filloi me pa në këndvështrim tjetër prej atij çka ju kish ofru gjithë jetës dhe sot ajo është shumë në rregull për ndjenjat e mia. Më ka pranu e vazhdon me më dashtë si gjithmonë, e dashnia e saj për mu është një shtyllë ku muj me u mbështet gjithmonë.

Po mas krejt këtyre ballafaqimeve që i pata unë, sa i përket përkrahjes, jam çudit kur kam taku njerëz që përnime të dojnë ashtu qysh je, e janë me ty pa marrë parasysh se kë e don ti. Janë po këta njerëz që të shtyjnë me e shfaq veten tënde e të japin mbështetje që ti me mujt me ecë rrugve me personin që e don. E këtyre njerëzve do u jem gjithmonë falenderuse.