Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

NJOFTIM PËR MEDIA: PUBLIKIMI I RAPORTIT TË PARË TË PËRBASHKËT TË SHOQࣿËRISË CIVILE PËR TË DREJTAT E NJERIUT NË KOSOVË

1 Korrik, 2020

Prishtinë, 30 qershor 2020: Kemi knaqësinë të ju njoftojmë për publikimin zyrtar të raportit të parë të përbashkët të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut në Kosovë. Raporti ofron një përmbledhje të situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2019, përfshirë problemet dhe sfidat kryesore për realizimin e të drejtave të njeriut si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Raporti vlerëson të drejtat civile dhe politike; të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore; çështjet e të drejtave të njeriut në lidhje me grupe specifike dhe të margjinalizuara; si dhe disa tema ndërlidhëse për të drejtat e njeriut, të tilla si drejtësia tranzicionale dhe e drejta e së vërtetës, si dhe mjedisi dhe të drejtat e njeriut.

Njëzet e një organizata të shoqërisë civile (OShC) që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë janë bashkuar për të hartuar këtë raport. Përveç rritjes së mëtutjeshme të bashkëpunimit dhe koordinimit midis aktorëve të shoqërisë civile të profileve të ndryshme, ky raport kërkon të plotësojë një hendek ekzistues në monitorimin dhe raportimin e përbashkët për të drejtat e njeriut në Kosovë në nivelin lokal dhe ndërkombëtar. Raporti adreson çështjet më alarmante të të drejtave të njeriut dhe sfidat të cilat janë zgjedhur pas një shqyrtimi të plotë të kontekstit lokal përmes një procesi konsultativ me një numër të OShC-ve për të drejtat e njeriut. Synohet që raporte të ngjashme të publikohen në të ardhmen në baza vjetore për të siguruar raportime të përbashkëta dhe sistematike nga OShC-të mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

OShC-të që kanë kontribuar në këtë raport u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës dhe palëve të tjera të interesit që të ndërmarrin veprime dhe masa të nevojshme për të adresuar shkeljet dhe problemet e të drejtave të njeriut të identifikuara dhe paraqitura në raport. Nëse këto shkelje dhe probleme nuk adresohen, ato do të vazhdojnë dhe do të thellohen edhe më tej, duke penguar realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë ashtu siç garantohet me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin dhe disa instrumente ndërkombëtare dhe rajonale drejtpërdrejtë të aplikueshme në vend.

Për fund, përderisa disa nga këto sfida dhe shkelje të të drejtave të njeriut janë përkeqësuar nga COVID-19 dhe masat e ndërmarra për ta parandaluar atë, ne gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës dhe të gjithë akterëve të tjerë që të vendosin të drejtat e njeriut në qendër të të gjitha programeve dhe masave të cilat synojnë të adresojnë situatën e krijuar nga COVID-19.

Këto janë 21 OSHC-të që kanë kontribuar në raport: Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve (Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë – ADRC), Advancing Together (AT), AKTIV, Ballkan Sunflowers Kosova, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Centre for Peace and Tolerance (CPT), Programi për të Drejtat Civile (CRP/K), Lëvizja FOL, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Integra, Grupi Kosovar për Avokim (KAG), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (KGSC), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Kosovo Young Lawyers (KYL), Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH), Terre des Hommes Kosovo, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR-KS), dhe Youth Educational Club Synergy North Mitrovica (Synergy).