Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Panel diskutimi “Trans Gratë janë Gra!”

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, u mbajt paneli i diskutimit “Trans Gratë janë Gra!”.

Për një të ardhme më të ndritshme, pa dhunë ndaj grave dhe vajzave po i shënojmë 16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore me temën e sivjetshme globale “Jepni fund dhunës ndaj grave tani!”.

“Trans gratë janë gra! “ është tema e panelit të diskutimit, kështu duke bërë thirrje për të rritur ndërgjegjësimin, për të nxitur përpjekjet e avokimit dhe për të shkëmbyer njohuri lidhur me trans gratë.

Pavarësisht progresit të lëvizjes transgjinore në kohët e fundit, që ka rezultuar në ndërgjegjësim më të madh të publikut dhe fitore të rëndësishme ligjore, trans gratë veçanërisht vazhdojnë të përballen me diskriminim flagrant, nivele të larta të dhunës dhe sistem shëndetësor që nuk u përshtatet nevojave të tyre.

Përgjatë këtij diskutimi, u theksuan dhuna fizike, psikike dhe seksuale ndaj trans grave në Kosovë, qasja në shërbime mjekësore, përfshirë këtu procedurat e terapisë hormonale dhe operimet, të drejtat dhe mundësitë në punësim dhe shkollim, qasja e institucioneve dhe akterëve të ndryshëm në vend, si dhe pranimi i tyre nga shoqëria kosovare.

Trans Gratë janë Gra! – të mos e harrojmë një gjë të tillë, dhe t’i bëhemi aleat këtij komuniteti të cenueshëm duke u bërë zëri i tyre për të drejta dhe liri të barabarta!

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Together Liberated”, mbështetur nga Embassy of the Netherlands in Kosovo.