Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTIQ+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTIQ+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTIQ+ në Kosovë.
Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTIQ+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore. Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psiqike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është tejet e nevojshme për personat LGBTIQ+ në Kosovë. Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTIQ+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror.
Për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTIQ+.
Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është thelbësore për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor.
Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTIQ+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikëbërjes sonë. Për këtë arsye, kjo Javë e Krenarisë shërben si rikujtim për ne dhe institucionet shtetërore që jetët e personave LGBTIQ+ janë të rëndësishme.
“Every donation brings us one step closer to a world of peace and equality. Please give generously.”
Email us for donation at info@cel-ks.org