Hyn në fuqi kodi penal me mbrojtje ligjore edhe për personat lgbti

HYN NË FUQI KODI PENAL ME MBROJTJE LIGJORE EDHE PËR PERSONAT LGBTI

CEL Kosova dhe CSGD Kosova mirëpresin hyrjen në fuqi të Kodit Penal. Që nga viti 2013 kur Kryeministri i Republikës së Kosovës formoi Grupin Këshillëdhënës dhe Koordinues për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë, organizatat Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD,

Qendra për Barazi dhe Liri – CEL dhe Qendra për Emancipim Shoqëror – QESh, vazhdimisht kanë avokuar për përmirësimin e jetës së personave LGBTI në Kosovë.

Nga data 14 prill 2019, komuniteti LGBTI gëzon mbrojtje më të madhe ligjore nga veprat penale “krime të urrejtjes” apo krime që janë të motivuara nga paragjykimi ndaj përkatësisë apo përshtypjes së përkatësisë së personit me komunitetin LGBTI. Ndryshimet në Kodin Penal janë lajm shumë i mirë për shkak se ofrojnë një kornizë konkrete ligjore që ia lehtëson sistemit të drejtësisë adresimin e veprave penale që vendosin në shënjestër komunitetin LGBTI. Risia më e madhe e Kodit të ri Penal është se orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë përfshirë si elemente në gjithsej shtatë vepra penale.

Në vazhdim i kemi paraqitur veprat penale nga Kodi i ri penal ku parashihet orientimi seksual dhe identiteti gjinor si element i veprës penale.

Neni 141

Nxitja e përçarjes dhe mos durimit

“1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. (…)”

Neni 173

Vrasja e rëndë

“1. Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili:

(…)

1.10. privon nga jeta personin tjetër motivuar në bazë të kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura;”

Neni 184

Sulmi

1. Kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

(…)

3. Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet ndaj viktimës së ndjeshme ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura, kryesi dënohet me:

3.1. burgim deri në tre (3) vjet për veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni; ose

3.2. burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet për veprën penale nga paragrafi 2 i këtij neni. (…)”

Neni 185

Lëndimi i lehtë trupor

“1. Kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili rezulton në:

1.1. dëmtimin e përkohshëm ose dobësimin e një organi apo pjese të trupit të personit tjetër;

1.2. zvogëlimin e përkohshëm të aftësisë së personit tjetër për të punuar;

1.3. shëmtimin e përkohshëm të personit tjetër; ose

1.4. dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. (…)

3. Kur vepra penale nga ky nen kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura kryesi dënohet me:

3.1. burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet për veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni; ose

3.2. burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet për veprën penale nga paragrafi 2. i këtij neni. (…)”

Neni 186

Lëndimi i rëndë trupor

“1. Kushdo që i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër ose e dëmton shëndetin e personit tjetër deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me:

1.1. dobësimin e përkohshëm ose esencial të një pjese vitale të trupit të personit tjetër;

1.2. paaftësimin e përkohshëm, zvogëlimin e përkohshëm dhe esencial ose zvogëlimin e përhershëm të aftësisë së personit tjetër për të punuar; ose

1.3. dëmtimin e përkohshëm dhe serioz të shëndetit të personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që shkakton lëndim trupor ose e dëmton shëndetin e personit tjetër dhe kjo rezulton me:

2.1. rrezikim të jetës së personit tjetër;

2.2. paaftësimin ose dobësimin e përhershëm të një pjese vitale të trupit të personit tjetër;

2.3. paaftësimin e përhershëm të aftësisë së personit tjetër për çfarëdo lloj pune;

2.4. shëmtimin e përhershëm të personit tjetër; ose

2.5. dëmtimin e përhershëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet. (…)

4. Kur vepra penale nga paragrafi 1, 2 ose 3 i këtij neni kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identiteti gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura, kryesi dënohet me:

4.1. burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet për veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni;

4.2. burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet për veprën penale nga paragrafi 2. i këtij neni; ose

4.3. burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet për veprën penale nga paragrafi 3. i këtij neni.

5. Kur vepra penale nga paragrafi 1., 2., 3.ose 4. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit tjetër, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.”

Neni 190

Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës

“1. Kushdo që për shkak të përkatësisë kombëtare apo etnike, racës, fesë, apo për shkak që nuk i përket ndonjërës përkatësi, apo për shkak të bindjeve politike ose bindjeve të tjera, gjinisë, invaliditetit, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, arsimit, pozitës shoqërore, prejardhjes sociale, gjendjes materiale, apo ndonjë karakteristike tjetër personale, tjetrit ia mohon ose kufizon të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë, ligj ose dispozita të tjera, akte tëtjera të përgjithshme ose marrëveshje të ratifikuara ndërkombëtare, apo i jep privilegje apo favore bazuar në këto dallime, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.”

Neni 321

Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë“

1. Kushdo që e asgjëson, dëmton apo e bën të papërdorshme pasurinë e personit tjetër në rrethana tjera nga ato të përcaktuara në nenin 322 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose burgim deri në një (1) vit. (…)

4. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni është kryer për shkak të motivimit në bazë të kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura, kryesi i veprës penale dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.”