F.Sh.
Pandemia, përveç cenueshmërisë së shëndetit fizik dhe mendor, vështirësive kolektive ekonomike dhe financiare, personave LGBTIQ+ u shtoi edhe një sfidë, sfidë kjo që u përjetua nga shumë grupe e komunitete të margjinalizuara në një shkallë më të lartë.
“Kërkesë veçanërisht e lartë e personave LGBTIQ+ në Kosovë ishte dhe vazhdon të jetë siguria në shtëpi dhe nevoja për strehim. Pasi që gjatë pandemisë personat LGBTIQ+ u detyruan të qëndrojnë në ambiente homofobike dhe transfobike, e që pikërisht këto ambiente në të shumtën e rasteve rastisin të jenë shtëpitë e tyre, shëndeti i tyre psikologjik dhe fizik ishin në rrezikshmëri më të lartë se ndonjëherë më parë. E këtë e mbështet fakti se kërkesat për strehim janë bërë alarmante gjatë dy viteve të fundit”, tregon Lend Mustafa, Menaxher i Projekteve në organizatën Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova.
Meqenëse kërkesat për strehim ishin të shumta, CEL Kosova ka filluar ofrimin e një shtëpie të sigurt për personat LGBTIQ+ në nevojë. Në vitin 2021, në këtë shtëpi të sigurt, janë strehuar pesë persona LGBTIQ+ të cilët dëshironin t’i largoheshin presionit dhe abuzimit psikologjik dhe fizik nga familjarët e tyre.
“Këtë shërbim e kemi ofruar paralelisht me shërbime të tjera të cilat ofrohen që një kohë nga CEL Kosova, të tilla si ndihmë dhe këshillim ligjor, seanca psikologjike, mbështetje morale, si dhe kujdestari ligjore për një person nën moshën 18 vjeçare”, tregon Lend Mustafa duke vënë theks në atë se kapacitetet për strehim janë të limituara.
Personit së cilit iu ofrua kujdestari ligjore nga një punonjës i organizatës CEL Kosova ishte një vajzë transgjinore 17 vjeçare.
“Identiteti im gjinor ishte i papranueshëm si nga familjarët ashtu edhe nga rrethi shoqëror. Abuzimi psikik arriti në atë masë që më nuk mund ta përballoja. U largova nga shtëpia, e madje ndërrova edhe qytet vetëm që t’më mundësohej një jetesë e qetë dhe autentike”, tregon vajza transgjinore që u pranua në shtëpinë e sigurt më 17 shtator të këtij viti.
“Për herë të parë u pranova ashtu siç isha. Për herë të parë u ndjeva e lirë ta manifestoja identitetin tim gjinor edhe në veshje, qëndrime dhe mendime. Të gjitha këto gjëra bazike mu ishin kufizuar për shkak të paragjykimeve dhe bullizimit të vazhdueshëm në çdo ambient të mundshëm”.
Një gjë që vajza dëshiron t’ua rikujtojë personave të tjerë transgjinorë është se procesi i të dalit hapur është i gjatë dhe nuk ndodhë përnjëherë. “Dilni hapur atëherë kur ndiheni të sigurt. Vazhdoni të qëndroni pozitiv pavarësisht sfidave që mund t’i hasni përgjatë rrugëtimit tuaj. Në fund, njëjtë si unë, do ta gjeni mënyrën më të mirë për të jetuar dinjitetshëm si vetvetja juaj”.
Për rastin e vajzës së mitur, si dhe për rastet e tjera me persona LGBTIQ+ të mitur, CEL Kosova ka bashkëpunuar ngushtë me Qendrën për Punë Sociale në mënyrë që asistimi në përditshmërinë e këtyre personave të jetë sa më i shëndetshëm dhe t’u krijohet një mjedis që mundëson zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Lend Mustafa tregon se nuk është pranuar ndihmë nga ndonjë institucion tjetër shtetëror dhe në çdo hap të proceseve të trajtimit dhe ofrimit të strehimit dhe/apo ndonjë shërbimi tjetër për personat LGBTIQ+ janë identifikuar mangësi të mëdha nëpër institucione si shkak i dështimit të prioritizimit të shërbimeve sociale nga qeveria dhe akter të tjerë përgjegjës.
“Gjithsesi, ekzistojnë edhe lajme të mira. Komuna e Prishtinës ka ndarë një fond për ndërtimin e strehimores së parë të dedikuar personave LGBTIQ+ në Kosovë, projekt që do ta lehtësoj ballafaqimin e personave LGBTIQ+ me këto problematika në përgjithësi e rrjedhimisht edhe cilësinë e jetesës së tyre”.
Sidoqoftë, ai thekson se nevoja për këtë strehimore vazhdon të jetë alarmante dhe procesi duhet të përshpejtohet sa më shumë që është e mundur.
“Kërkesë për këto shërbime kanë shumë persona të komunës së Prishtinës, mirëpo gjendja në vende rurale është shumë më e ndërlikuar pasi që në shumicën e komunave apo fshatrave të tjera këto çështje nuk diskutohen fare, dhe shërbimet janë pothuajse joekzistente bazuar në rastet të cilat i kemi pranuar. Në shumicën e rasteve, këta persona ndërrojnë vendbanim, duke konsideruar që Prishtina është vend më i pranueshëm për komunitetet LGBTIQ+”.
Si përfundim, duke konsideruar të gjitha problematikat e lartpërmendura dhe kërkesën e lartë të vazhdueshme, CEL Kosova bën thirrje ndaj kryetarit të ri të komunës së Prishtinës që ta prioritizojë dhe përshpejtoj ndërtimin e strehës për personat LGBTIQ+. Gjithashtu, u bëhet thirrje edhe organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë për solidarizim, mbështetje dhe ndërmarrje të hapave konkret në përmirësimin e situatës momentale.