Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

(Jo)Binariteti Gjinor

22 Shtator, 2021

Donjet Behluli

Ndikimi i kulturës në çdo gjë që ka të bëjë me gjini është i paevitueshëm. Që nga dita e lindjes së një personi, atyre menjëherë iu jipet një identitet gjinor duke u bazuar në seksin e tyre. Pastaj, pritet që ata të veprojnë dhe të bëjnë gjithçka në përputhje me gjininë që iu është caktuar si foshnje. Këto pritje kulturore kanë ndikim në pothuajse çdo aspekt të jetës së një personi; ambiciet në jetë, zgjedhja në karrierë, sjelljet shoqërore, aktivitetet në të cilat angazhohen, shija e tyre në veshje, interesat e tyre të përgjithshme, etj. në thelb, pozicioni i një personi në shoqëri.
Për fat të keq, shoqëria jonë dhe përceptimet e saj ndaj gjinisë nuk janë edhe aq gjithpërfshirëse. Ne rritemi me idenë se gjinia është binare dhe secili person pritet që të bjerë në njërën nga kategoritë: burrë ose grua, por realiteti i gjinisë është shumë më i komplikuar dhe jo çdo person e gjen veten në këto kategori.

Si definohen binariteti gjinor dhe gjinia jo-binare?

Binariteti gjinor është ndarja shoqërore ose kulturore e gjinisë në dy kategori mashkullore dhe femërore të ndryshme e të kundërta, dhe ky është një standard në shumicën e kulturave. Kurse identitetet gjinore që s’janë as mashkullore as femërore – pra identitete që ekzistojnë jashta binaritetit gjinor – konsiderohen jo-binare.

Sfidat e personave jo-binarë

Të ekzistosh si një person jo-binar në një shoqëri që vazhdimisht provon të të kategorizojë si diçka që nuk je, dhe të ndihesh i obliguar të arrish pritje të caktuara mund të jetë shumë e lodhshme. Binariteti gjinor gjithashtu mund të krijojë struktura të institucionalizuara të pushtetit, dhe njerëzit të cilë nuk përshtaten në norma gjinore tradicionale mund të përjetojnë diskriminim dhe ngacmime në hapësira të ndryshme në shoqëri. Mospërfillja, mosbesimi, përçmimet dhe mosrespektimi janë forma të zakonshme të diskriminimit të përjetuara nga njerëzit jo-binarë. Ka gjithashtu njerëz që e konsiderojnë gjininë jo-binare si një trend për të fituar vëmendje. Por një ndër format më të zakonta të diskriminimit ndaj personave jo-binarë është përdorimi i përemrave të gabuar dhe shpërfillja e identitetit gjinor të tyre. Kjo shpërfillje ndodhë kur dikush i referohet një personi duke përdorur një gjuhë e cila nuk përkon me identitetin gjinor të tyre, për shembull nëse i referohemi një gruaje me përemrin “ai” ose me fjalën “burrë”.

A janë përemrat aq të rëndësishëm?

Me definicion, përemrat gjinor janë fjalë që njerëzit përdorin për t’iu referuar dikujt pa e përmendur emrin e tyre. Por për shumë persona jo-binarë, përemrat janë më shumë se një mënyrë se si ata të adresohen. Përemrat janë bërë një mënyrë për të pohuar apo shpallur një aspekt të gjinisë së tyre që është shpesh i padukshëm apo nuk përshtatet me supozimet e tjerëve, dhe si rezultat, përemrat kanë fuqinë të afirmojnë ose të injorojnë realitetin e një personi jo-binar. Kështu që është e rëndësishme që ne të pyesim dhe gjithmonë t’ia respektojmë përemrat një personi. Gjithashtu, inkurajohet përodrimi i një gjuhe neutrale sa i përket gjinisë në mënyrë që ne të jemi sa më përfshirës dhe t’i shmangemi supozimeve për identitetin gjinor të dikujt. Por për fat të keq, ndonjëherë kjo mund të jetë e vështirë sepse ka gjuhë, si p.sh. gjuha Shqipe, që nuk kanë përemra neutral sa i përket gjinisë.

Gjinia si një spektër

Koncepti i gjinisë si spektër nuk është asgjë e re vetëm për shkak se diskursi rreth saj mund të jetë. Identitetet jo-binare janë njohur prej kohësh nga disa kultura dhe shoqëri në të gjithë botën. Për breza me rradhë, qytetërimet autoktone në shtetin Oaxaca në Meksikë, në Amerikën e Veriut dhe Madagaskar kanë përqafuar konceptin e një gjinie të tretë.
Për shembull, “Muxes” — njerëz të lindur në një trup mashkullor, por që nuk identifikohen as si gra as si burra — jetojnë në qytetin e vogël Juchitán de Zaragoza në shtetin jugor të Oaxaca në Meksikë dhe janë të mirënjohur në qytet dhe kulturë si pjesë e një qytetërimi të lashtë. Ka kultura të tjera si kultura vendase Navajo e Amerikës së Veriut ku individët transgjinorë njihen si individë me “dy shpirtra”, ose njerëzit Sakalava në Madagaskar që njohin një gjini të tretë të quajtur Sekrata. Këta shembuj historikë të gjinisë jo-binare dhe jokonformuese kanë krijuar një bazë rëndësishme për mënyrën sesi ne interpretojmë identitetin gjinor sot.

Përveç gjinisë, as seksi nuk është domosdoshmërisht binar. Një në 2,000 njerëz lindin interseks, një term i përdorur për të përshkruar njerëzit që kanë kromozome, anatomi ose karakteristika të tjera seksuale që nuk mund të klasifikohen si mashkullore apo femërore. Kështu që, ideja se seksi dhe gjinia janë binare — që të gjithë bien në njërën nga dy kategoritë — është një konstrukt shoqëror. Nocioni se ka mashkull dhe femër nuk është i pasaktë, është thjesht i paplotë. Shumë individë, qofshin ata interseks apo jo, kanë një përzierje të veçorive biologjike ose shprehjeve gjinore që nuk përshtaten saktësisht në kategoritë meshkuj ose femra.

Identitetet gjinore që janë jobinare

Ka shumë identitete gjinore që bien nën ombrellën jo-binare, por disa prej tyre janë genderqueer dhe gender fluid. Genderqueer i referohet një personi që nuk i pështatet dallimeve konvencionale gjinore, dhe mund të identifikohet me të dyja, asnjërën, apo një kombinim të gjinive burrë dhe grua. Gender fluid i referohet një personi i cili nuk e identifikon veten se ka një gjini të caktuar dhe shprehja e tyre gjinore ose si ndihen për veten mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Çdo identitet është valid

Përderisa kuptimi ynë i gjinisë evoluon, dhe përgjatë përvojës sonë me të, ne duhet të ia kujtojmë vetes se çdo identitet është i vlefshëm dhe ne duhet të qëndrojmë respektues ndaj të tjerëve dhe gjithmonë të pranojmë veten tonë autentike