Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Deklaratë për Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë

14 Nëntor, 2023

22 maj, 2020

Më 17 Maj si në Kosovë ashtu edhe në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT), për të vënë theksin në dinjitetin e të gjithë personave, pavarësisht se kënd e dashurojnë apo pavarësisht identitetit të tyre gjinor.

Shënimi i kësaj dite paraqet një moment që kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut, vendimmarrësve, autoriteteve lokale, mediave dhe opinionistëve për padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen personat LGBTI, me shpresë për të sjellë drejtësi sociale, ekonomike dhe politike.

Gjatë viteve, institucionet qeveritare dhe publike të Kosovës kanë bërë disa hapa pozitiv dhe janë përpjekur që të trajtojnë disa çështje të të drejtave të njeriut e që përfshijnë të drejtat e personave LGBTI.

Sipas hulumtimit të Bankës Botërore për përvojën e jetesës së personave LGBTI në Balkanin Perëndimor, i publikuar në Shtator 2018, Policia e Kosovës gëzon besimin më të madh nga personat LGBTI, krahasuar me institucionet e tjera. Gjate vitit 2019, Gjykatat e Kosovës kanë marrë dy vendime shumë të rëndësishme në favor të personave transgjinor në lidhje me të drejtën e ndryshimit të emrit dhe gjinisë/seksit në regjistrat e gjendjes civile dhe në dokumentet publike. Institucioni i Avokatit t՝ Popullit këto vitet e fundit ka qenë më i zëshëm në promovimin e të drejtave LGBTI si dhe në adresimin e rasteve të diskriminimit që iu është bërë këtyre personave. Poashtu, Zyrja për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit ka hartuar planin e punës tre vjeçar që ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, për vite me rradhë ofron disa shërbime shëndetësore të nevojshme dhe më specifike për personat LGBTI. Poashtu kjo ministri në disa nga planet e veta të strategjive sektoriale, personat LGBTI i ka të parapara si grupe të cakut për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, në mënyrë të barabartë sikur edhe për grupet e tjera të shoqërisë.

Pavarësisht këtyre hapave pozitiv që kanë ndodhur, nuk mund të themi që personat LGBTI i gëzojnë të drejtat e barabarta me qytetarët e tjerë të Kosovës. Edhe pse Kushtetuta e Kosoves, ligjet ekzistuese, aktet e tjera nënligjore si dhe strategjitë apo planet e punës të institucioneve qeveritare dhe publike të Kosovës garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë, në praktikë këto të drejta në shumicën e rasteve fatkeqësisht nuk respektohen. Në Kosovë ende vazhdon të mbizotërojë gjuha e urrejtjes, krimi i urrejtjes, diskriminimi në vende të punës, ngacmimi në shkollë i nxënësve dhe studentëve si dhe dhuna nga anëtarët e familjes, që është e bazuar dhe motivuar për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor.

Për të gjithë ne, ende ka shumë punë për t’u bërë për të luftuar homofobinë, bifobinë dhe transfobinë. Në shumë vende në Kosovë, personat LGBTI janë të detyruar ta mohojnë dhe ta mbajnë fshehtë se kush janë në të vërtetë, nga frika se do të persekutohen dhe se mund të jenë viktimë e dhunës verbale apo fizike.

Pandemia e COVID-19 përveç që ka pasur efekte të papritura në jetën e përditshme të të gjithëve, në mënyrë të veçantë ka goditur edhe më tepër personat LGBTI. Për shkak të gjendjes emergjente dhe masave te kufizimit të levizjes dhe izolimit, shumë të rinjë LGBTI janë detyruar të kthehen dhe të jetojnë me familjet e tyre, prej të cilave janë larguar pasi që mund të mos ishin të pranuar për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Mu për shkak të këtij mospranimi ekziston rreziku që disa prej tyre të mbesin pa strehë, e kjo mund të ndikojë që të mbesin edhe pa punë. Detyrimi për të qëndruar të izoluar brenda familjes e cila nuk e pranon një person LGBTI ka rritur rastet e dhunës në familje. Poashtu këta persona, për shkak të pamundësisë për t’u takuar me mbështetësit e tyre, kanë mbetur të vetmuar, pa asnjë përkrahje dhe kjo mund të çojë në probleme të shëndetit mendor.

Per shkak te pandemisë dhe mbylljes së kufinjëve personat Transgjinorë nuk kanë çasje në terapi hormonale dhe shërbime tjera shëndetësore mbi tranzicionin, shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në Kosovë. Sipas udhëzuesve të OBSH-s dhe Komisionit Evropian, sigurimi i vazhdueshëm i terapisë përfshihet në shërbimet esenciale shëndetësore për komunitetin transgjinorë.

CSGD dhe CEL besojnë se liderët në Kosovë, qoftë politikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile apo drejtues të mediave, kanë për detyrë ta udhëheqin Kosovën drejt një rendi demokratik dhe liberal. Një rend plotësisht demokratik është ai që braktis politikën e urrejtjes dhe intolerancës; është ai që braktis diskriminimin e padrejtë ndaj çdo grupi, çoftë gjatë gjendjes normale por edhe gjatë gjendjeve emergjente si kjo e tashmja.

Ne inkurajojmë vendimmarrësit, udhëheqësit politikë, mediat dhe publikun që të kontribuojnë në avansimin e të drejtave të njerëzve që janë të prekur nga dhuna dhe diskriminimi bazuar në orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor. Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të hartoj politika që do të mbrojnë qytetarët e vet nga dhuna në familje, pavarësisht gjinisë, orientimit seksual apo identitetit gjinorë. Inkurajojmë organet e rendit dhe ligjit që të përkushtohen në mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI konform legjislacionit në Kosovë që do të ndikonte në krijimin e një ambienti të sigurtë dhe të përshtatshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.