Përkrahja

   Me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia, me komuniku me njerëz që krejt çka kanë bo ka qenë me të shty me u ndje jo-normal, njerëz këta që asnjëherë nuk kanë dashtë me kuptu atë që ti don me shpreh, e krejt çka unë kom dashtë me shpreh ka qenë vetja ime. Nuk kam mujtë me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia për një kohë të gjatë edhe pse unë se kam pa asnjëherë si “jo-normale” atë se cka ndjejë.

 Pëlqimin për vajzat e kam kuptu dhe e kam pranu shumë e re, qysh adoleshente, dhe asnjëherë nuk jam ndje keq për këtë gjë. Por fakti që nuk kam mujt me komuniku me njerëz për ndjenjat e mia, kjo po që më ka bo me u ndje keq.

 Një burg i ndjenjave. Jam ndje e bllokuar, e zënë në një grackë , e në këtë grackë mua më është dashur me e fsheh të vërtetën, e krejt kjo ka qenë e vështirë. Ka qenë e vështirë për faktin se jam ndje sikur jam duke e tradhëtuar besimin e njerëzve që i kam afër.

Ja nisa me shfaq e me komuniku për atë që ndjejë. Ja nisa me dal prej burgut në të cilin isha blloku. Fillimi i krejt kësaj ishte i vështirë se nuk e dija as qysh me vepru që njerëzit me e kuptu se krejt çka ndjejë unë është dashni. U ndjeva keq kur personat me të cilat u mundova me komuniku e pritën si diçka të keqe dashninë time, diçka aq të keqe sa që u munduan me më bind se kjo çka unë ndjej nuk është normale. Po kjo nuk më ndali mua me u shpreh, kjo nuk më futi prap në burgun e ndjenjave prej të cilit sapo kisha dal. Përkundrazi, kjo më shtyu edhe më shumë që unë me vazhdu e me u hap për ndjenjat e mia, sepse ajo çka ata po thonin nuk ishte e vërtetë, sepse përkundër fjalëve të tyre ajo se çka po ndjejë unë është normale dhe unë jam normale.

 E fola me vëllain e vogël e ai e priti mirë, po atë e kam shok shumë të mirë prandaj edhe vendosa që me fol me të së pari. E vëllai tjetër e zbuloi vet, e pa flamurin që po e mbaja në dhomë, e siç e kisha pritë prej tij, filloi me bo të madhe. Filloi me fol keq e me u qasë hala ma keq, krejt kjo veq për faktin se unë jam lesbike. Ke e vështirë në fillim që vëllai yt mos me pranu ato çka ti je. Po me kalimin e kohës u mësova me këtë realitet.

Frika jem ma e madhe ishte se qysh ka me e prit nana, e nëse ajo nuk e kish prit mirë atëherë kjo po që më kishte lëndu shumë. I tregova dhe e di se në fillim ajo nuk ka mujt me më kuptu, por nuk e ka shfaq mospëlqimin e saj as atëherë. Edhe pse për të ishte diçka që nuk e ka mendu se vajza saj ka me qenë, filloi me pa në këndvështrim tjetër prej atij çka ju kish ofru gjithë jetës dhe sot ajo është shumë në rregull për ndjenjat e mia. Më ka pranu e vazhdon me më dashtë si gjithmonë, e dashnia e saj për mu është një shtyllë ku muj me u mbështet gjithmonë.

Po mas krejt këtyre ballafaqimeve që i pata unë, sa i përket përkrahjes, jam çudit kur kam taku njerëz që përnime të dojnë ashtu qysh je, e janë me ty pa marrë parasysh se kë e don ti. Janë po këta njerëz që të shtyjnë me e shfaq veten tënde e të japin mbështetje që ti me mujt me ecë rrugve me personin që e don. E këtyre njerëzve do u jem gjithmonë falenderuse.

Punësimi

    Me qenë lesbike e me gjetë punë në Kosovë, kam mendu se ka me qenë e pamundur. Ka qenë e vështirë me mbajtë gjithmonë një maskë ekstra. Një maskë që peshojke aq shumë sa që ma ndalke edhe frymën. Po a e dini çka ka qenë ma e keqja? Me punu me ni biznes familjar, e me e mbajtë atë maskë edhe në punë edhe në shpi, pa pasë hapësirë kurrë me marrë frymë lirshëm. 

Në këtë punë qe e kam ba që fëmijë, shkelje s’kam pasë, po për mua u kon dyfish ma rond me jetu e me punu me njerzit që ma së shumti i du, e gjithmonë me u fsheh. 

Nuk ke e lehtë me e fsheh vetën prej nanës, e po këtë nanë me e pas edhe në punë. E ajo nuk është veq nanë për mua, po o njeri ma i veçantë në jetën tem, e nuk ke e lehtë aspak që me e mbajtë atë maskë të mallkume sa herë që e shihja, e unë e shihja ton kohës, se nuk e pata as atë “punë” ku nuk ishte  ajo. U ndijsha keq, ja nisi me u bo çdo ditë edhe ma e rond.

 E kuptova që kështu nuk shkon, duhna me bo diçka, duhna me ja nis me dal prej këtu, po prapë e mendoja çka munet me bo ni vajzë që është e painformuar për botën jashtë, që nuk e ka as idenë që jashtë ekzistojnë njerëz si unë, e organizata që punojnë e na përkrahin. Çka munet me bo ni vajzë që nuk e ka as vetëbesimin me e bo hapin e parë? Po edhe pse nuk e pata këtë vetëbesim, prapë u dashtë me bo dicka se kështu nuk mujsha mo. I tregova motrës për atë se çka jam dhe ajo e priti shumë mirë. U çudita fort, mu duk çudi se sa lehtë ke me e hekë atë maskë para motrës.

 Mbas kësaj ja nisa me apliku edhe nepër vende tjera të punës. Fillova me apliku gjithkund e ja nisën me më ftu në intervista. Ke shumë emocionuese krejt ky proces i gjetjes së punës. Ja nisa me punu me ni kompani e në fillim për shkak se kesh e bindur se krejt shqipëtarët janë homophoba, ndejta e fshehtë.  Fillova me punu  e ky sen ke përnime ndryshim i madh për mua, se të paktën një pjesë të ditës nuk isha me të shpisë. Ja nisa me u afru ma shumë me kolegët, e vrejsha që muhabeti me ta po më pëlqente çdo herë e ma shumë. Sidomos me menagjerin, e vrejta se si person ishte shumë mendjehapur, po edhe kompania vet kish shumë kulturë. 

Çdo ditë e ma shumë ja nisa me u shpreh për vetën  e për pëlqimet e mia e krejtë ato që ndjej. Rehatia dhe komforti që mu ofrun në këtë ambient të punës më shtyn me u hap komplet e me e shfaq se mua më pëlqejnë vajzat. Nuk mujsha me besu në fillim, që unë, vajza e cila s’ka besu kurrë që munet me gjetë një vend të punës për shkak të orientimit seksual, sot po flas lirshëm për ndjenjat e mia.  Ma e mira e krejt kësaj o fakti se edhe pse disa prej kolegëve të mi janë fetar, ata kurrë nuk më paragjykun e më pranuan. U ndiva shumë e privilegjuar, e nashta ky privilegj mu dha për shkak se punojë në fushën e teknologjisë informative, e në këtë fushë sa m’ka ra mua me pa, ka shumë persona mendjehapur, persona që nuk të gjykojnë për atë qe je.

Më kujtohet një moment shumë i bukur që e përjetova në punë e që s’kam me harru kurrë. Ishte java e Paradës së Krenarisë e kësaj here në zyre kishin vendos me e festu me mua. Zyrja u mbush me zbukurime e me flamur ngjyra-ngjyra, e krejt kjo u bë prej kolegëve të mi, për mua. E  suprizat për mua atë ditë nuk përfundun me kaq. Pos flamurit e zbukurimeve ma kishin bo edhe ni torte, e unë nuk mujta me i mbajtë lotët e gëzimit mo, fillova edhe me kajt. Ky ke një moment ku unë u ndjeva e bekuar për këtë punë e për këta njerëz.

Përkrahja që ma kanë bo njerëzit në punë më ka ndihmu shumë që edhe jashtë punës qe unë me e hekë atë maskë që deri vonë ma ka marrë shpirtin. Aq shumë më ka ndihmu kjo përkrahje sa që e morra guximin me ju tregu edhe në shpi. 

Nana se priti edhe aq mirë. Por, se harroj kurrë atë ditë ku nana jem pa marrë parasysh mendimet që i ka pas, i pranoi krejt ndjenjat e mia. Se harroj kurrë mënyrën se qysh e zuri gjumi nanën në prehërin tim, e s’kam me e harru kurrë lëmshin e emocioneve që i kam ndje atë ditë.

Mas krejt kësaj experience time, jam e lumtur që si kam ndal ambiciet e mia për shkak të paragjykimeve të njerëzve për orientimin tim seksual. E bash pse se kam ndal ambicien time unë e kam pa se ka edhe vende të punës ku na mundemi me e shpreh vetën. Unë se kam ndal këtë ambicie e shpresojë që askush prej juve ska me e ndal.

Thirrje e hapur për praktikues të licensuar të shëndetit mendor

Qendra për Barazi dhe Liri për personat LGBTIQ+ në Kosovë është duke vazhduar me Programin e Mbështetjes i cili përfshin ofrimin e shërbimeve psikologjike falas për personat LGBTIQ+.

CEL Kosova momentalisht është duke kërkuar terapistë të kualifikuar për t’iu bashkuar organizatës sonë me qëllim të ofrimit të shërbimeve psikologjike. Kandidatët idealë duhet posedojnë aftësi të jashtëzakonshme komunikimi, përkushtim të fortë ndaj kujdesit ndaj pacientit dhe kuptim të thellë të tendencave dhe kërkimeve më të fundit në psikologji, si dhe njohuri të konsiderueshme rreth komuniteteve LGBTIQ+.

Përgjegjësitë:

  • Të ofrojë terapi individuale ose grupore për klientët, me fokus në praktikat e bazuara në prova dhe kujdes të fokusuara në pacient.
  • Të realizojë vlerësime diagnostike për të vlerësuar shëndetin mendor të klientëve.
  • Të zhvillojë plane trajtimi të personalizuara bazuar në nevojat dhe qëllimet unike të secilit klient.
  • Të mbajë shënime të sakta dhe të plota të pacientëve, në përputhje me standardet ligjore dhe etike.
  • Të bashkëpunojë me ofrues të tjerë të kujdesit shëndetësor për të ofruar kujdes të integruar për klientët.
  • Të qëdroj i/e përditësuar me kërkimet më të fundit dhe praktikat më të mira në psikologji.
  • Të përditësojë në mënyrë të vazhdueshme bazën e të dhënave të CEL Kosovës.

Kërkesat dhe kualifikimet:

  • Të licensuar në psikologji ose fushë relevante nga një institucion i akredituar.
  • Licencë e vlefshme për ushtrimin e psikologjisë në shtetin ku do të ofrohen shërbimet, përkatësisht Kosovë.
  • Të paktën tri vjet përvojë në ofrimin e shërbimeve psikologjike për klientë.
  • Aftësi e demonstruar për të punuar në mënyrë të pavarur dhe si pjesë e një ekipi.
  • Aftësi të forta komunikimi dhe ndërpersonale.
  • Përvojë me një sërë qasjesh terapeutike dhe praktikash të bazuara në dëshmi.
  • Kuptimi i udhëzimeve ligjore dhe etike në lidhje me praktikën e shëndetit mendor.
  • Njohuri të konsiderueshme për të drejtat dhe liritë e personave LGBTIQ+ dhe kontekstin kombëtar të pozitës së personave LGBTIQ+.

Si të aplikoni:

Ju lutemi dorëzoni CV-në, letrën motivuese dhe tre referenca profesionale në info@cel-ks.org deri me 03.04.2023. Aplikimet do të shqyrtohen në mënyrë të vazhdueshme deri në plotësimin e pozicionit.

Kërkojmë shkarkimin e Duda Balje nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

CEL Kosova, CRD, CSGD, QKSGJ dhe YIHR vazhdojnë me kërkesën e njëjtë të shtruar para një viti për shkarkimin e Duda Balje, Kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kushtetuta e Kosovës si akti më i lartë juridik garanton të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit si dhe parandalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, përderisa Kodi i Mirësjelljes së Deputetëve, bazuar në parimin e Vetëmohimit, saktëson se deputetët marrin vendime që janë vetëm në interes të publikut.

Duda Balje ka deklaruar në vazhdimësi se është kundër martesave të seksit të njëjtë duke u bazuar se këto janë mendime të saj personale dhe duhet të kuptohen kështu. Për ne vazhdojnë të qëndrojnë të papranueshme deklarata të tilla të cilat vecojnë dhe cenojnë një grup të qytetarëve sidomos duke marrë parasysh pozitën e saj si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Të drejtat e njeriut nuk janë vetëm për një grup të caktuar qytetarësh por për të gjithë barabartë pa asnjë dallim. Personat LGBTQI+ janë qytetarë të Republikes së Kosovës dhe duhet të gëzojnë të drejtën e martesës njëjtë si personat heteroseksualë. Pozita e saj si kryetare e këtij komisioni është t’i mbrojë dhe promovoj këto të drejta, me theks të veçantë të drejtat e grupeve të cenueshme.

Andaj, organizatat e lartëpërmendura insistojnë në shkarkimin e saj nga pozita e Kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione pasi që qëndrimet e saj po ndikojnë në cënimin e të drejtave të një grupi të rëndësishëm shoqëror.

Rikujtojmë që Duda Balje nuk është aty për të dhënë mendimet e saja personale por ka përgjegjësi dhe detyrë institucionale që të mbrojë dhe respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Një shtëpi të sigurt edhe për mu’

F.Sh.

Pandemia, përveç cenueshmërisë së shëndetit fizik dhe mendor, vështirësive kolektive ekonomike dhe financiare, personave LGBTIQ+ u shtoi edhe një sfidë, sfidë kjo që u përjetua nga shumë grupe e komunitete të margjinalizuara në një shkallë më të lartë.

“Kërkesë veçanërisht e lartë e personave LGBTIQ+ në Kosovë ishte dhe vazhdon të jetë siguria në shtëpi dhe nevoja për strehim. Pasi që gjatë pandemisë personat LGBTIQ+ u detyruan të qëndrojnë në ambiente homofobike dhe transfobike, e që pikërisht këto ambiente në të shumtën e rasteve rastisin të jenë shtëpitë e tyre, shëndeti i tyre psikologjik dhe fizik ishin në rrezikshmëri më të lartë se ndonjëherë më parë. E këtë e mbështet fakti se kërkesat për strehim janë bërë alarmante gjatë dy viteve të fundit”, tregon Lend Mustafa, Menaxher i Projekteve në organizatën Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova.

Meqenëse kërkesat për strehim ishin të shumta, CEL Kosova ka filluar ofrimin e një shtëpie të sigurt për personat LGBTIQ+ në nevojë. Në vitin 2021, në këtë shtëpi të sigurt, janë strehuar pesë persona LGBTIQ+ të cilët dëshironin t’i largoheshin presionit dhe abuzimit psikologjik dhe fizik nga familjarët e tyre.

“Këtë shërbim e kemi ofruar paralelisht me shërbime të tjera të cilat ofrohen që një kohë nga CEL Kosova, të tilla si ndihmë dhe këshillim ligjor, seanca psikologjike, mbështetje morale, si dhe kujdestari ligjore për një person nën moshën 18 vjeçare”, tregon Lend Mustafa duke vënë theks në atë se kapacitetet për strehim janë të limituara.

Personit së cilit iu ofrua kujdestari ligjore nga një punonjës i organizatës CEL Kosova ishte një vajzë transgjinore 17 vjeçare.

“Identiteti im gjinor ishte i papranueshëm si nga familjarët ashtu edhe nga rrethi shoqëror. Abuzimi psikik arriti në atë masë që më nuk mund ta përballoja. U largova nga shtëpia, e madje ndërrova edhe qytet vetëm që t’më mundësohej një jetesë e qetë dhe autentike”, tregon vajza transgjinore që u pranua në shtëpinë e sigurt më 17 shtator të këtij viti.

“Për herë të parë u pranova ashtu siç isha. Për herë të parë u ndjeva e lirë ta manifestoja identitetin tim gjinor edhe në veshje, qëndrime dhe mendime. Të gjitha këto gjëra bazike mu ishin kufizuar për shkak të paragjykimeve dhe bullizimit të vazhdueshëm në çdo ambient të mundshëm”.

Një gjë që vajza dëshiron t’ua rikujtojë personave të tjerë transgjinorë është se procesi i të dalit hapur është i gjatë dhe nuk ndodhë përnjëherë. “Dilni hapur atëherë kur ndiheni të sigurt. Vazhdoni të qëndroni pozitiv pavarësisht sfidave që mund t’i hasni përgjatë rrugëtimit tuaj. Në fund, njëjtë si unë, do ta gjeni mënyrën më të mirë për të jetuar dinjitetshëm si vetvetja juaj”.

Për rastin e vajzës së mitur, si dhe për rastet e tjera me persona LGBTIQ+ të mitur, CEL Kosova ka bashkëpunuar ngushtë me Qendrën për Punë Sociale në mënyrë që asistimi në përditshmërinë e këtyre personave të jetë sa më i shëndetshëm dhe t’u krijohet një mjedis që mundëson zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Lend Mustafa tregon se nuk është pranuar ndihmë nga ndonjë institucion tjetër shtetëror dhe në çdo hap të proceseve të trajtimit dhe ofrimit të strehimit dhe/apo ndonjë shërbimi tjetër për personat LGBTIQ+ janë identifikuar mangësi të mëdha nëpër institucione si shkak i dështimit të prioritizimit të shërbimeve sociale nga qeveria dhe akter të tjerë përgjegjës.

“Gjithsesi, ekzistojnë edhe lajme të mira. Komuna e Prishtinës ka ndarë një fond për ndërtimin e strehimores së parë të dedikuar personave LGBTIQ+ në Kosovë, projekt që do ta lehtësoj ballafaqimin e personave LGBTIQ+ me këto problematika në përgjithësi e rrjedhimisht edhe cilësinë e jetesës së tyre”.

Sidoqoftë, ai thekson se nevoja për këtë strehimore vazhdon të jetë alarmante dhe procesi duhet të përshpejtohet sa më shumë që është e mundur.

“Kërkesë për këto shërbime kanë shumë persona të komunës së Prishtinës, mirëpo gjendja në vende rurale është shumë më e ndërlikuar pasi që në shumicën e komunave apo fshatrave të tjera këto çështje nuk diskutohen fare, dhe shërbimet janë pothuajse joekzistente bazuar në rastet të cilat i kemi pranuar. Në shumicën e rasteve, këta persona ndërrojnë vendbanim, duke konsideruar që Prishtina është vend më i pranueshëm për komunitetet LGBTIQ+”.

Si përfundim, duke konsideruar të gjitha problematikat e lartpërmendura dhe kërkesën e lartë të vazhdueshme, CEL Kosova bën thirrje ndaj kryetarit të ri të komunës së Prishtinës që ta prioritizojë dhe përshpejtoj ndërtimin e strehës për personat LGBTIQ+. Gjithashtu, u bëhet thirrje edhe organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë për solidarizim, mbështetje dhe ndërmarrje të hapave konkret në përmirësimin e situatës momentale.

(Non)Binary Gender

(Jo)Binariteti Gjinor

Donjet Behluli

Ndikimi i kulturës në çdo gjë që ka të bëjë me gjini është i paevitueshëm. Që nga dita e lindjes së një personi, atyre menjëherë iu jipet një identitet gjinor duke u bazuar në seksin e tyre. Pastaj, pritet që ata të veprojnë dhe të bëjnë gjithçka në përputhje me gjininë që iu është caktuar si foshnje. Këto pritje kulturore kanë ndikim në pothuajse çdo aspekt të jetës së një personi; ambiciet në jetë, zgjedhja në karrierë, sjelljet shoqërore, aktivitetet në të cilat angazhohen, shija e tyre në veshje, interesat e tyre të përgjithshme, etj. në thelb, pozicioni i një personi në shoqëri.
Për fat të keq, shoqëria jonë dhe përceptimet e saj ndaj gjinisë nuk janë edhe aq gjithpërfshirëse. Ne rritemi me idenë se gjinia është binare dhe secili person pritet që të bjerë në njërën nga kategoritë: burrë ose grua, por realiteti i gjinisë është shumë më i komplikuar dhe jo çdo person e gjen veten në këto kategori.

Si definohen binariteti gjinor dhe gjinia jo-binare?

Binariteti gjinor është ndarja shoqërore ose kulturore e gjinisë në dy kategori mashkullore dhe femërore të ndryshme e të kundërta, dhe ky është një standard në shumicën e kulturave. Kurse identitetet gjinore që s’janë as mashkullore as femërore – pra identitete që ekzistojnë jashta binaritetit gjinor – konsiderohen jo-binare.

Sfidat e personave jo-binarë

Të ekzistosh si një person jo-binar në një shoqëri që vazhdimisht provon të të kategorizojë si diçka që nuk je, dhe të ndihesh i obliguar të arrish pritje të caktuara mund të jetë shumë e lodhshme. Binariteti gjinor gjithashtu mund të krijojë struktura të institucionalizuara të pushtetit, dhe njerëzit të cilë nuk përshtaten në norma gjinore tradicionale mund të përjetojnë diskriminim dhe ngacmime në hapësira të ndryshme në shoqëri. Mospërfillja, mosbesimi, përçmimet dhe mosrespektimi janë forma të zakonshme të diskriminimit të përjetuara nga njerëzit jo-binarë. Ka gjithashtu njerëz që e konsiderojnë gjininë jo-binare si një trend për të fituar vëmendje. Por një ndër format më të zakonta të diskriminimit ndaj personave jo-binarë është përdorimi i përemrave të gabuar dhe shpërfillja e identitetit gjinor të tyre. Kjo shpërfillje ndodhë kur dikush i referohet një personi duke përdorur një gjuhë e cila nuk përkon me identitetin gjinor të tyre, për shembull nëse i referohemi një gruaje me përemrin “ai” ose me fjalën “burrë”.

A janë përemrat aq të rëndësishëm?

Me definicion, përemrat gjinor janë fjalë që njerëzit përdorin për t’iu referuar dikujt pa e përmendur emrin e tyre. Por për shumë persona jo-binarë, përemrat janë më shumë se një mënyrë se si ata të adresohen. Përemrat janë bërë një mënyrë për të pohuar apo shpallur një aspekt të gjinisë së tyre që është shpesh i padukshëm apo nuk përshtatet me supozimet e tjerëve, dhe si rezultat, përemrat kanë fuqinë të afirmojnë ose të injorojnë realitetin e një personi jo-binar. Kështu që është e rëndësishme që ne të pyesim dhe gjithmonë t’ia respektojmë përemrat një personi. Gjithashtu, inkurajohet përodrimi i një gjuhe neutrale sa i përket gjinisë në mënyrë që ne të jemi sa më përfshirës dhe t’i shmangemi supozimeve për identitetin gjinor të dikujt. Por për fat të keq, ndonjëherë kjo mund të jetë e vështirë sepse ka gjuhë, si p.sh. gjuha Shqipe, që nuk kanë përemra neutral sa i përket gjinisë.

Gjinia si një spektër

Koncepti i gjinisë si spektër nuk është asgjë e re vetëm për shkak se diskursi rreth saj mund të jetë. Identitetet jo-binare janë njohur prej kohësh nga disa kultura dhe shoqëri në të gjithë botën. Për breza me rradhë, qytetërimet autoktone në shtetin Oaxaca në Meksikë, në Amerikën e Veriut dhe Madagaskar kanë përqafuar konceptin e një gjinie të tretë.
Për shembull, “Muxes” — njerëz të lindur në një trup mashkullor, por që nuk identifikohen as si gra as si burra — jetojnë në qytetin e vogël Juchitán de Zaragoza në shtetin jugor të Oaxaca në Meksikë dhe janë të mirënjohur në qytet dhe kulturë si pjesë e një qytetërimi të lashtë. Ka kultura të tjera si kultura vendase Navajo e Amerikës së Veriut ku individët transgjinorë njihen si individë me “dy shpirtra”, ose njerëzit Sakalava në Madagaskar që njohin një gjini të tretë të quajtur Sekrata. Këta shembuj historikë të gjinisë jo-binare dhe jokonformuese kanë krijuar një bazë rëndësishme për mënyrën sesi ne interpretojmë identitetin gjinor sot.

Përveç gjinisë, as seksi nuk është domosdoshmërisht binar. Një në 2,000 njerëz lindin interseks, një term i përdorur për të përshkruar njerëzit që kanë kromozome, anatomi ose karakteristika të tjera seksuale që nuk mund të klasifikohen si mashkullore apo femërore. Kështu që, ideja se seksi dhe gjinia janë binare — që të gjithë bien në njërën nga dy kategoritë — është një konstrukt shoqëror. Nocioni se ka mashkull dhe femër nuk është i pasaktë, është thjesht i paplotë. Shumë individë, qofshin ata interseks apo jo, kanë një përzierje të veçorive biologjike ose shprehjeve gjinore që nuk përshtaten saktësisht në kategoritë meshkuj ose femra.

Identitetet gjinore që janë jobinare

Ka shumë identitete gjinore që bien nën ombrellën jo-binare, por disa prej tyre janë genderqueer dhe gender fluid. Genderqueer i referohet një personi që nuk i pështatet dallimeve konvencionale gjinore, dhe mund të identifikohet me të dyja, asnjërën, apo një kombinim të gjinive burrë dhe grua. Gender fluid i referohet një personi i cili nuk e identifikon veten se ka një gjini të caktuar dhe shprehja e tyre gjinore ose si ndihen për veten mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Çdo identitet është valid

Përderisa kuptimi ynë i gjinisë evoluon, dhe përgjatë përvojës sonë me të, ne duhet të ia kujtojmë vetes se çdo identitet është i vlefshëm dhe ne duhet të qëndrojmë respektues ndaj të tjerëve dhe gjithmonë të pranojmë veten tonë autentike

You Might Find Yourself - Nadav Ben David

Vetvetja tjetër

Shend Badivuku

Kur marrim vesh se një çift gej janë ndarë, zakonisht pas dy ose tre muajve lidhje, dëgjojmë arsyet si ‘’ishte i/e frikësuar nga përkushtimi’’ ose ‘’kishte nevojë të punonte me vetveten’’. Përderisa këto nuk janë arsye që veçanërisht nuk i kanë edhe çiftet straight, personat e komunitetit LGBTQ+ përballen me një problem që është më rrënjësor.

Personave të komunitetit LGBTQ+, që nga fëmijëria e tyre, u tregohet se të qenit vetvetja është diçka e gabuar. Qoftë ajo nga një perspektivë fetare, patriarkale apo tradicionale, në Kosovë këta persona u nënshtrohen situatave çorientuese, paragjykuese, e ndonjëherë edhe traumatike, gjatë rrugëtimit të të gjeturit vetveten. Dhe kur më në fund e gjejnë, e kuptojnë që vetvetja e tyre nuk është edhe aq e mikpritur në rrethin e tyre familjar dhe/ose shoqëror. Sigurisht që flasim për të shumtën e rasteve, ngase, fatmirësisht, familjet që mirëpresin fëmijët e tyre me të gjitha ngjyrat ekzistojnë.

E kur e kuptojnë se vetvetja e tyre nuk mirpritet në familje, ata/ato krijojnë një ‘’vetvete’’ tjetër. Kjo ‘’vetvete’’ është zakonisht si rezultat i pritjeve të rrethit të tyre që kanë për atë person. Disa dalin mrekullueshëm në shkollë, edhe pse drejtimi në të cilin janë nuk është aspak ai që dëshirojnë, por kanë frikë nga zhgënjimi i prindërve; disa bëhen persona pushover, ku nuk prishin asnjë qejf apo dëshirë të shoqërisë së tyre ngase kanë frikë se shoqëria mund t’i lë; disa kërkojnë këshillim te feja, si e vetmja rrugë për të maskuar ndjenjën e fajit që ndjejnë brenda tyre.

Në thelb, personat e komunitetit LGBTQ+ kanë të bëjnë me shumë shtirje gjatë jetës së tyre. Disa mund të jenë të bindur se e kanë bërë një balancë mes jetës së shtirur dhe asaj reale, por në shumë raste, njëra ndikon më shumë te tjetra pa dijeninë e personit.

Ata/ato janë rritur duke dëgjuar fjalët “të dua ashtu siç je’’, ‘’më pëlqen çdo pjesë e jotja’’ ose ‘’dua gjithçka rreth teje’’ nga familjarët dhe/ose shoqëria e tyre, mirëpo sa vlerë ka ajo ‘’gjithçka’’ kur ai person nuk e shfaq para atyre që i thonë këto fjali. Si mund të të dojë ashtu siç je dikush që nuk të njeh të tërin? Nuk njeh një pjesë thelbësore të vetes tënde? Atëherë po që është vështirë të besosh fjalën ‘’të dua’’. Ata nuk të duan ty, ata duan ‘’vetveten tjetër’’ tënden, është ngushëllim ky që shumë persona të komunitetit LGBTQ+ marrin për veten.

E nëse është shumë e vështirë që ata/ato t’i besojnë fjalëve ‘’të dua’’ që vijnë nga një familjar ose rreth shoqëror, atëherë pse duhet të jetë e lehtë t’i besojnë një personi me të cilin janë në një lidhje romantike? A janë të dashuruar me mua, apo me ndonjë ide të cilën kam krijuar pa vetëdije për ‘ta? E kështu, ata/ato bien në një humnerë të mendimit-tej-mase, ankthit, paranojës e ndonjëherë edhe depresionit. Dhe kultura e Grindr, domethënë kultura e të takuarit për seks e jo më shumë, dhe one-night stands nuk është se ka ndihmuar në zhdukjen e këtij fenomeni.

Jo që ka ndonjë gjë të gabuar me këto kultura, thuajse i tërë komuniteti janë pjesë e tyre, mirëpo ato nuk ofrojnë diçka më shumë se aq, një natë të mrekullueshme dhe asgjë afatgjate. Kur është dëgjuar hera e fundit se një çift janë takuar nëpërmjet Grindr dhe tani janë duke jetuar bashkë në një apartament me pamje nga qyteti me dy qenushët e tyre? Në Kosovë të paktën nuk është dëgjuar kurrë.

Ndoshta është diçka që personat e komunitetit e anashkalojnë komplet, duke menduar ‘’meqë dashuria s’do të jetë e mundur, të paktën do kënaqem’’. Ndoshta disa kanë frikë të ndjekin këtë ‘’ëndërr’’ ngase, përgjithësisht, si shoqëri, jemi të mësuar të ndjejmë turp sa herë bëjmë diçka jashtë normave shoqërore, ndërsa një lidhje e shëndetshme romantike mes dy burrave/grave është diçka tejet utopike. E fatkeqësisht, norma shoqërore për komunitetin LGBTQ+ këto ditë është “Sex, Drugs and Rock and Roll”. Ose ndoshta Rock and Roll duhet të zëvendësohet me Techno.    Ajo që do ndihmonte në krijimin e një rehatie dhe vetëbesimi te personat e komunitetit do të ishte përfaqësimi medial i tyre. Sikur të kishin pasur një portretizim të dashurisë mes gjinisë së njëjtë në media, televizor apo filma, ku ajo paraqitet si diçka tejet normale. Është e vërtetë që përmbajtje të tillë gjejnë nga vendet jashtë Kosovës, mirëpo kjo vetëm i kujton sa mirë është atje e jo këtu. Filmi “Martesa”, një film që flet për një trekëndësh dashurie, ku një burrë është i detyruar të martohet me një grua, ngase frikësohet të dashurojë një burrë tjetër, ka qenë një gur shkalle për këtë kauzë, mirëpo nuk duhej të ndalohej aty. Kemi nevojë për persona gej, lezbike, trans, jo-binarë, queer në media, televizor dhe filma, ku flasin shqip, ku tregojnë se si është të jetosh në Kosovë dhe të kesh punën e ëndrrave, partnerin e jetës apo një qëllim jetësor.

Komunikatë për shtyp: Fjalimi i z. Mërgim Lushtakut në foltoren e Kuvendit të Kosovës në lidhje me institucionin e martesës është në kundërshtim me vlerat që Kushtetuta e Kosovës i garanton

Më 21 tetor 2020, duke e parafrazuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Mërgim Lushtakun i cili nga foltorja e Kuvendit të Kosovës thotë që: Shkenca ka vlerësuar që legalizimi i martesës së seksit të njëjtë do të çoj në efekte katastrofike shoqërore dhe familjare…

Read More

Komunikatë për shtyp: Komentet e disa anëtarëve të Levizjes Vetëvendosje në mediat sociale janë në kundërshtim me vlerat që Kushtetuta e Kosovës i garanton

Më 18 tetor 2020, znj. Leonora Shabani-Bajraktari, asambleiste e Kuvendit Komunalë të Prishtinës, duke iu referuar një video vetëdijësuese të publikuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ku promovohen të drejtat e personave LGBTI, më saktësisht martesat mes seksit të njëjtë, perms një statusi në Facebook thotë se një promovim i tillë është “i tepërt”.

Read More

Parada e Krenarisë 2020

Gëzuar Paradën e Krenarisë gjithë personave LGBTI+ dhe përkrahësve tanë. Shpresojmë që vitin tjetër do të festojmë të gjithë së bashku në kushte më të mira dhe me përfshirje më të madhe.
#Ido#PoDu#Hoću

Momentet të shkëputura nga Parada e Krenarisë

REAGIM KUNDËR GJUHËS SË URREJTJES NË EMISIONE PUBLIKE

CEL konsideron shumë shqetësuese faktin që fytyra publike në emisione televizive kanë hapësirën të përdorin gjuhë të urrejtjes kundër personave LGBTI+. Duke pasë parasyshë situatën në shoqërinë tonë, është shumë me rëndësi të ju kushtohet vëmendje se çfarë përmbajtje publikohen nga mediat për shkak të rolit që kanë në ngritje të vetëdijes në popullatën e gjërë.

Read More

“Siguri për LGBT”

Në kuadër të mini granteve, një grup i të rinjëve realizoj projektin “Siguri per LGBTI” përmes një hulumtimi në lidhje me nevojën e një shtëpie të sigurtë për personat LGBTI në Kosovë dhe përmes perfomances artistike më poshtë. Kjo video shfaq realitetin e personave LGBTI në Kosovë, nevojën për një vend të sigurtë dhe përvojën në këtë shoqëri. Siguria në shtëpi duhet t’i takoj secilit individ dhe është e drejtë themelore e njeriut dhe asnjë person nuk meriton të trajtohet me paragjykim, të jetojë në ambient përjashtues e diskriminues . Shtëpia duhet të jetë një vend I sigurt për shendetin fizik dhe mendor.

Ky projekt u realizua në kuadër të mini-granteve nga projekti Youth Artivists for Change, përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, menaxhuar nga Stichting art.1 dhe implementuar nga CEL Kosova. Grupi “Siguri për LGBT”: Nol Musa, Agon Rexhepi, Arlinda Sejdiu, Ereblina Vata, Era Bytyçi Aktrim dhe regji: Edon Shileku Kamera: Bobb Attard Editimi: Edon Shileku Audio: Edon Shileku Asistent: Agon Rexhep

Kampanjë kundër bullizmit #NukVlenëMëPak


Ngacmimet me të cilat njerëzit përballen cdo ditë, vecanërisht të rinjt, mund përcjellin shumë pasoja afatgjate. Ndikimi I bullizmit tek individët jo gjithëherë është I dukshëm dhe mund të shkaktoj pasoja në shëndetin mendor dhe kufizon zhvillimin e një jetese të mirëfillt në shkollë, punë, rrugë apo cfarë do ambienti tjetër ku mund të ndodhin ngacmime të tilla. Si mund të ndihmoni? – Reagoni për dikë I cili është duke u ngacmuar – Raportoni rastin tek organet kompetente – Vlerëso eksperiencën e dikujt që është ngacmuar dhe ndëgjoj ata – Edukoni ngacmuesit Të konsiderohesh ndryshe, të jetosh ndryshe apo të kesh preference ndryshe, nuk do të thotë që vlenë më pak. Ti je ai/ajo për shkak të tipareve tua, përqafoj ato.

Kjo kampanjë u mundësua nga Programi i Angazhimit për Barazi (E4E), i financuar nga Agjencia e Shteteve të \ Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID Kosovo dhe implementuar nga Qendra për Liri dhe Barazi CEL dhe është mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – Advocacy Training and Resource Center – ATRC.

DEKLARATË PËR MEDIA PROJEKT-KODI CIVIL I KOSOVËS SHKEL TË DREJTAT E NJERIUT

Organizatat e shoqerise civile, të nënshkruara më poshtë, konsiderojnë që Projekt-Kodi Civil shkel të drejtat për partneritet (martesë apo bashkësi civile) për personat LGBTI në Kosovë.

Projekt-Kodi Civil definon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme. Po ashtu, definon që Burri dhe Gruaja, kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje.

Read More

“Mos riprodho pabarazi, respekto çdo identitet”


Një numër i madh i qytetarëve hasin në diskrimin në bazë të gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, aftësive të kufizuara e të tjera. Duke stigmatizuar grupe të tilla, shoqëria jonë nuk mund të bëhet një vend i sigurt për të gjithë.
Aftësia në një fushë të caktuar, profesionalizmi dhe kontributi i një individi nuk duhet asnjëherë të paragjykohet nga pamja e jashtme apo nga identitet.
Çdo person duhet ta gëzoj të drejtën për tu trajtuar barabartë në vend të punës dhe në çdo vend apo situatë tjetër.

Prishtina me Qendrën “Drop-in për komunitetet LGBTI

Sot, u nënshkrua kontrata me Komunën e Prishtinës lidhur me shfrytësimin e një hapësire dedikuar personave LGBTI.

Komuna e Pishtinës ka ofruar një hapësirë për personat LGBTI për hapjen e një qendre të re ‘Drop in’.
Jemi tej mase falenderues për bashkpunimin që na u është ofruar si mundësi. Kjo kontratë nuk është vetëm kontratë për shfrytëzim të hapësires, por edhe e shpreses dhe besimit ndaj institucioneve tona.

Personat LGBTI shpesh herë për shkak të situatës dhe rangut të homofobisë dhe transfobisë, ngurrojnë të jenë të hapur në publik. Qendra të tilla janë tejet të rendësishme për ofrimin e një vendi të sigurtë, për ofrimin e shërbimeve për shëndet mendor, socializimi me personat LGBTI dhe ofrimin e shumë shërbimeve të cilat jo gjithmonë personat LGBTI kan qasje në to.

Së shpejti do të ju informojmë për më shumë detaje rreth qendrës për të cilën do të shfrytëzohet hapësira.

Faleminderit Komuna e Prishtinës
Dren Kukaj

Deklaratë për Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë

Më 17 Maj si në Kosovë ashtu edhe në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT), për të vënë theksin në dinjitetin e të gjithë personave, pavarësisht se kënd e dashurojnë apo pavarësisht identitetit të tyre gjinor.

Shënimi i kësaj dite paraqet një moment që kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut, vendimmarrësve, autoriteteve lokale, mediave dhe opinionistëve për padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen personat LGBTI, me shpresë për të sjellë drejtësi sociale, ekonomike dhe politike.

Gjatë viteve, institucionet qeveritare dhe publike të Kosovës kanë bërë disa hapa pozitiv dhe janë përpjekur që të trajtojnë disa çështje të të drejtave të njeriut e që përfshijnë të drejtat e personave LGBTI.

Read More

Panel diskutimi “Perspektiva Rajonale e EuroPride 2022”

Në kuadër të edicionit të 5-të të #YouthSummitinSkopje u mbajt një panel diskutimi “Perspektiva Rajonale e EuroPride 2022” i cili është moderuar nga Antonio Mihajlov ku morrën pjesë përfaqësues nga Kosova – CEL – Lend Mustafa, Serbia – Marko Mihailović, Bosnja dhe Hercegovina – Amina Imamović dhe nga Mali i Zi.
Në këtë panel është diskutuar për përvojat rreth organizimit të Paradës së Krenarisë në Ballkan dhe për perspektivat rajonale të EuroPride 2022

Panel diskutimi me temën “ Martesa, bashkëshortët dhe bashkimi civil në kodin civil modern të Republikës së Kosovës”

Në këtë panel u diskutua për situatën aktuale në lidhje me rekomandimet që janë derguar mbi ligjin e martesave që ligjet të jenë të harmonizuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

U zhvillua një debat mjaft konstruktiv i cili gjithashtu ka vënë në pah gaditshmërinë nga shoqëria civile për ti kontribuar projektit të Kodit Civil në mënyrë që të jetë sa më gjithpërfshirës dhe të jetë në shërbim të cdo qytetari të Kosovës.

Në këtë panel ishin të ftuar Blert Morina, drejtor ekzekutiv në Centre for Equality and Liberty – CEL, Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive i Rrjetit të Grave të Kosovës, Alfonos Benjamin Lentze, Programi i EU për Kodin Civil dhe Kerstin Niethammer-Jurgents, Programi I EU për Kodin Civil.

Projekt-kodi civil I kosovës shkel të drejtat e njeriut

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD dhe Qendra për Barazi dhe Liri – CEL konsiderojnë që Projekt-Kodi Civil shkel të drejtat për partneritet (martesë apo bashkësi jashtëmartesore) për personat LGBTI në Kosovë dhe pajtohet me interpretimin ligjor të Avokatit të Popullit Hilmi Jashari që po ashtu ka identifikuar shkeljet e njëjta të të drejtave të njeriut në Projekt- Kodin Civil.

Read More

Projekt-Kodi Civil i Kosovës shkel të drejtat e njeriut

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD dhe Qendra për Barazi dhe Liri – CEL konsiderojnë që Projekt-Kodi Civil shkel të drejtat për partneritet (martesë apo bashkësi jashtëmartesore) për personat LGBTI në Kosovë dhe pajtohet me interpretimin ligjor të Avokatit të Popullit Hilmi Jashari që po ashtu ka identifikuar shkeljet e njëjta të të drejtave të njeriut në Projekt- Kodin Civil.Projekt-Kodi Civil definon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy personave të sekseve të ndryshme. Po ashtu, definon që Burri dhe Gruaja, kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje. Më tej, Projekt-Kodi Civil parasheh mundësinë e krijimit të bashkimeve tjera civile me një ligj të veçantë. Të gjitha partneritetet e mundshme (martesa apo bashkësia jashtëmartesore) duhet të rregullohen me Kodin Civil. Kjo çasje e të rregulluarit të partneriteteve tjera me ligje të veçanta, tenton të ndaj të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga ato të qytetarëve të tjerë të Kosovës. Një çasje e tillë është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Kosovë, dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.Ministria e Drejtësisë ka publikuar Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës. Përderisa Ministria e Drejtësisë ka përshkruar kodin si “një kod civil modern”, pas një shikimi të shpejt mund të kuptohet që ky draft lë shumë për t’u dëshiruar. Projekt-Kodi civil ka dështuar në sigurimin e njohjes ligjore të statutit të partneritetit të çifteve të sekseve të njëjta (të bashkësisë jashtëmartesore apo martesës) dhe i’a mohon këtyre përsonave të drejtën për të krijuar familje. Mos rregullimi i partneritetit për çiftet e të njëjtit seks në Projekt-Kodin Civil nga grupi punues që është formuar nga Ministria e Drejtësisë, është çasje diskriminuese në bazë të orientimit seksual.Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën për martesë dhe krijimit të familjes. Është e qartë që në Kushtetutën e Kosovës nuk ka gjini të përcaktuar, që do të pengonte çiftet e seksit të njëjtë të martoheshin dhe të krijonin familje. Më tej, Kushtetuta e Kosovës siguron edhe shtresa të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Neni 24 i Kushtetutës – Barazia para ligjit garanton që çdo person gëzon të drejtën e mbrojtjes ligjore pa diskriminim duke përfshirë edhe orientimin seksual si bazë të mbrojtur. Kushtetuta lejon zbatueshmëri direkte të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe të Protokolleve të saj në legjislacionin e brendshëm të Kosovës, dhe përcakon që në rast të konfliktit të dispozitave ligjore të mbizotëroj ato. Më tej, në pajtim me Nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës, të drejtat themelore të njeriut duhet të interpretohen në harmoni me praktikat gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejta të Njeriut. (“GJEDNJ”)Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka njohur bashkësinë e personave të seksit të njëjtë si partnerë në Konventën e të Drejtave të Njeriut në nenet lidhur me “Jetën e Familjes”. Gjithashtu, GJEDNJ ka dhënë një numër të konsiderueshëm të gjykimeve lidhur me obligimin pozitiv të shteteve për të njohur ligjërisht partneritetin e çifteve të seksit të njëjtë. Grupi punues ka dështuar të aplikoj praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka dështuar të draftoj legjislacion që është gjithëpërfshirës dhe jo-diskriminues në bazë të orientimit seksual. Është e qartë që Projekt-Kodi Civil përjashton persona nga e drejta për partneritet dhe e drejta për të krijuar familje në bazë të orientimit seksual. Si i tillë, është diskriminues dhe shkel Nenin24 të Kushtetutes, që garanton barazi para ligjit dhe Nenin 37 të Kushtetutës, që garanton të drejtën për martesë dhe familje. Prandaj, Projekt-Kodi Civil duhet të përshkruhet në përputhje me obligimet e Kosovës për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët dhe duhet të siguroj njohjeligjore të çifteve të seksit të njëjtë.

REAGIM Në lidhje me deklaratën e zyrtarit te Ministrisë së Drejtësisë Z. Xheladin Krasniqi për personat LGBTI në Kosovë

Organizatat Qendra për Barazi dhe Liri – CEL dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, dënojnë ashpër gjuhën e përdorur nga ana e Zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë Z. Xhelajdin Krasniqi. Z. Krasniqi ka cilësuar personat LGBTI si degjenerim të skajshëm, thirrje për vrasje dhe përdhunim të personave LGBTI.

Read More

Deklaratë e përbashkët në mbështetje të së drejtës në identitet gjinorë si e drejtë fundamentale njerëzore

Blert Morina, ka paraqitur kërkesën për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit, në mënyrë që ato të reflektojnë identitetin e tij gjinor. Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë dhe Agjencia për Regjistrimin Civil kanë refuzuar këtë kërkesë duke shkelur të drejtën e Blertit në privatësi dhe obligimet për mbrojtje të të drejtave të njeriut që dalin nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Read More

Takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Së bashku me kolegët nga Qendra për Barazi dhe Liri e Kosovës dhe (Parada ponosa Beograd )- Parada e Krenarisë e Beogradit mbajtën një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Në këtë takim u diskutua për statusin e personave LGBTI në rajon, sfidat e aktivistëve LGBTI dhe mënyrat se si të mbështesim luftën tonë për një shoqëri pa diskriminim, dhunë dhe urrejtje ndaj personave LGBTI.
Faleminderit edhe një herë, Komitetit Norvegjez të Helsinkit për rregullimin e këtij takimi.

Eventi më i madh ”Defender’s Days”

Filloi eventi më i madh ”Defender’s Days” i organizuar nga organazata Civil Rights Defenders në Suedi i cili ka për qëllim bashkimin e partnerëve aktivistë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve, sensibilizimin në mes tyre, si dhe prezentimin e mënyrës së aktivizmit nëpër Shtetet e tyre. Në këtë event po marrin pjesë edhe dy aktivistë nga organizata Qendra për Liri dhe Barazi (CEL).

Konferenca ‘Rritja e pjesëmarrjes së grupeve të margjinlizuara në Kosovë

U mbajt konferenca e organizuar nga ATRC me temën: “Rritja e pjesëmarrjes së grupeve të margjinlizuara në Kosovë” në panelin e titulluar “Komunitetet LGBT dhe shoqëria kosovare” ku ishin të ftuar:
Avokati i popullit – Hilmi Jashari, i cili diskutoj për rolin e tij në mbrojtjen e komuniteteve LGBTI si dhe për mangësit e ligjeve në fuqi ,
Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të mirë, diskutoj mbi arritjet dhe sfidat e institucioneve shtetërore në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBTI, ndërsa Prof.dr. e Sociologjisë, Linda Gusia njëkohesisht dhe anëtare e bordit të CEL diskutoj për Seksualitetin dhe cështjet LGBTI, duke shpjeguar rolin a arsimit si të rëndësishëm për komunitetet LGBTI.

Read More

Takim me përfaqësuesit e Strehës

Stafi i CEL pati një takim shumë produktiv me përfaqësuesit e STREHA, e vetmja strehë e mbetur në rajon. Gjatë takimit është diskutuar mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në lidhje me ndihmën për të rinjtë LGBT të pastrehë në rajon.