Arkivi i Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë

Java e Krenarisë 2026

9 Qershor, 2026

BARAZI OSE REVOLTË!

Të veprosh është më e vështirë se të flasësh. Asnjëra, megjithatë, nuk duket se mund të jetësohen pa njëra tjetrën.

Ne kemi vendosur të veprojmë, tash e dhjetë vite me Javën tonë të Krenarisë, një institucion në vete që i ka mbijetuar të gjitha zhvillimeve sociale, politike, kulturore e akademike në Kosovë.

Këtë vit, kërkesat tona janë ato që kanë qenë gjithmonë, por më të forta, të vendosura mbi themelin e aktivizmit tonë që nuk do të përulet para propagandave të individëve e grupeve të ndryshme. Barazi ose Revoltë – slogani i edicionit të këtij viti të Javës së Krenarisë mund të lexohet në shumë forma: si një thirrje për vendosjen tonë në jetën publike, si një apel për të na ftuar aty ku merren vendimet e mëdha për jetën tonë dhe të shokëve e shoqeve tona, si një protestë për sulmet fizike e llafet urrejtëse që na adresohen në baza ditore, si një tjetër festim i ekzistencës sonë e cila, si çdo ekzistencë tjetër, nuk kërkon dhe as nuk pret pranim ose legjitimim.

Ne kemi folur e do të flasim, përmes veprave e përmes angazhimit tonë të palodhshëm ndaj të drejtave të komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë. Kur mbron një njeri, po mbron një njerëzim të tërë. Kur mbron një të drejtë njerëzore, po çon tutje vetëdijen e botës. Në momentumin e shoqërisë kosovare dhe asaj botërore, një avokim si ky i yni nënkupton një bashkim për barazi, drejtësi, trajtim të barabartë në çdo derë të hapësirë sonë shoqërore.

Ne po angazhohemi për funksionalizimin e strehimores së sigurtë për personat LGBTIQ+ që përballen me dhunë apo përjashtim; për njohjen ligjore të partneritetit të të njëjtit seks dhe mbrojtjen e familjeve tona; për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore dinjitoze dhe pa diskriminim; për një arsim gjithëpërfshirës që nuk hesht mbi identitetet tona; për mbrojtje efektive nga gjuha e urrejtjes dhe dhuna. Lista është e gjatë, aq sa edhe forca jonë.

1 qershor

  • Performancë: Pasqyrim i Argjendtë
    17:00–18:00 | Sheshi Adem Jashari, Prishtinë
    Një performancë publike nga HAVEIT, që ngre pyetjen se ku mund të shkojnë të rinjtë LGBTQI+ kur përballen me refuzim nga familja, shoqëria apo institucionet.
  • Hapja Zyrtare e Javës së Krenarisë
    18:00–19:00 | Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Prishtinë
    Ceremonia zyrtare e hapjes mbledh përfaqësues/e institucionalë/e, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile dhe komunitetin për të shënuar fillimin e edicionit jubilar të Pride.
  • Let’s Pride
    21:00–00:00 | Juno’s Social Hub
    Një mbrëmje hapëse me muzikë, performancë në gitarë nga Doruntinë dhe DJ set nga Vesë, e menduar si hapësirë e ngrohtë takimi, gëzimi dhe bashkimi.

2 qershor

  • Intervenimi artistik: Anatomia e Heshtjes
    15:20–16:20 | Oborri i Ministrisë së Arsimit, Prishtinë
    Performancë nga Agnes Nokshiqi dhe Donikë Ahmeti, që trajton heshtjen dhe refuzimin institucional ndaj realiteteve të personave LGBTIQ+.
  • Performancë teatrore: “Monologjet e Vaginës dhe monologje të tjera heretike”
    20:00–22:00 | Salla e Kuqe, Prishtinë
    Një performancë teatrore sipas Eve Ensler dhe Jeton Nezirajt, me aranzhim skenik nga Blerta Neziraj dhe performues Adrian Morina, Edon Shileku dhe Diva.
  • Video-projeksion: Dritat e Paradës
    21:00–00:00 | Kafet e Rakisë, Prishtinë
    Një instalacion publik i videomapping-ut nga Kaltrina Berisha, që sjell dritën, ngjyrat dhe atmosferën e Pride në hapësirën urbane të qytetit.

3 qershor

  • Queer Brunch
    12:00–15:00 | Kometë, Ulpianë, Prishtinë
    Një hapësirë e hapur, miqësore dhe festive për komunitetin queer, miqtë dhe aleatët, me muzikë nga Erleta dhe lojëra tavoline.
  • Performancë artistike: Dy Trupa
    17:00–18:00 | Kometë, Ulpianë, Prishtinë
    Performancë nga Ms. Indefinite, e frymëzuar nga vepra “The Two Fridas” e Frida Kahlo-s, që eksploron marrëdhënien mes trupit fizik, trupit të projektuar dhe identitetit.

4 qershor

  • Konferenca e Javës së Krenarisë: 10 vjet krenari, rezistencë dhe veprim
    10:00–12:00 | Sirius Hotel, Prishtinë
    Konferenca shënon dhjetë vite organizim publik, rezistencë dhe veprim kolektiv për të drejtat e komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë.
  • Ekspozitë kolektive: Normal Love
    19:00–22:00 | Ish Biblioteka Hivzi Sylejmani – CNP, Prishtinë
    Ekspozita trajton idenë e “normalitetit” të imponuar dhe mënyrën se si dashuria, trupi, dëshira dhe identiteti shpesh vendosen përballë normave heteronormative.

5 qershor

  • Parada e Krenarisë 2026 – Barazi ose Revoltë!
    11:30–12:45 | Sheshi Skënderbeu
    Parada është momenti më publik i Javës së Krenarisë: një ecje për barazi, dinjitet, liri dhe siguri për çdo person LGBTIQ+ në Kosovë. Mbledhja fillon në 11:30, ndërsa parada nis në 12:00.
  • Koncert: Adelina Ismaili
    12:45–14:00 | Biblioteka Kombëtare, Prishtinë
    Pas paradës, programi vazhdon me koncertin e Adelina Ismailit, një figurë ikonike e muzikës dhe kulturës pop shqiptare.
  • Revolt on the Dancefloor
    23:00–06:00 | Bubble X
    Mbrëmja përmbyllëse e Pride vjen si mega-show dhe festë e rezistencës, trupit, muzikës dhe komunitetit, me performues/e dhe DJ të shumtë.