TRANSGJINORËT DHE DITA PËRKUJTIMORE E TYRE

Identiteti gjinor dhe termi ‘Transgjinor’

Identiteti gjinor është ndjenja personale dhe e brendshme e dikujt, në lidhje me të qënit grua apo burrë (ose diçka tjetër nga dyjori gjinor). Për personat transgjinor, seksi* i cili u është caktuar nga lindja dhe identiteti gjinor i tyre nuk përputhen.

Transgjinor është termi ombrellë që përdoret për të identifikuar personat, identiteti gjinor i të cilëve, ndryshon nga seksi me të cilin kanë lindur.

Të provohet të ndryshohet identiteti gjinor i dikujt është e pamundur, ashtu siç është e pamundur të ndërrohet orientimi seksual i dikujt.

Personat transgjinor të cilët kalojnë nëpër procedurën e tranzicionit të ndërrimit të seksit, domethënë kalimit nga femër në mashkull apo anasjelltas, nëpërmjet marrjes së hormoneve dhe/ose procedurave kirurgjikale, quhen persona transseksual.

Personat nën ombrellën transgjinore, mund të zgjedhin vetë se si dëshirojnë që njerëzit t’i thërrasin dhe t’u referohen atyre.

Dallimi në mes identitetit gjinor dhe orientimit seksual

Identiteti gjinor dhe orientimi seksual janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
Identiteti gjinor është gjinia me të cilën një person e sheh dhe e identifikon veten.
Ndërkaq orientimi seksual i referohet tërheqjes emocionale, romantike dhe/apo seksuale ndaj një personi tjetër.

Personat transgjinor, mund gjithashtu të jenë heteroseksual, lezbike, gej apo biseksual.

Përshembull, një person që kalon në tranzicion nga mashkull në femër dhe ka tërheqje ndaj burrave, konsiderohet si grua heteroseksuale.

Aktivizmi i personave transgjinor dhe dhuna ndaj tyre

Aktivizmi i komunitetit të personave transgjinor, është kryesisht i determinuar për të arritur antidiskriminimin në lidhje me strehimin, punësimin dhe akomodimin publik, qasje të plotë në arsim, në kujdesin shëndetësor dhe dokumentet përkatëse të identifikimit, dhe shërbimi ushtarak i hapur për individët trans.

Përpos telasheve dhe proceseve nëpër të cilat kalojnë me vetveten, personat transgjinorë, si shumë komunitete tjera të margjinalizuara, hasin në diskriminim të lartë nga shoqëria, familja, madje dhe nga institucionet. Ata janë të prekur nga dhuna verbale dhe fizike, janë të kërcënuar për vrasje dhe shumë prej tyre janë vrarë dhe vazhdojnë të vriten në rrethana të rënda.

Cdo vit më 20 nëntor, aktivistët nëpër krejt botën shënojnë Ditën Përkujtimore të Transgjinorëve (Tdor), që t’i nderojnë dhe kujtojnë personat trans të cilët e humbasin jetën e tyre gjatë vitit, pra vriten si rezultat i transfobisë së lartë. Gjithashtu bëhet për të rritur vetëdijësijimin dhe vëmendjen në lidhje me dhunën e vazhdueshme të cilën e vuan komuniteti transgjinor.

Kjo ditë, që na viti 1999, filloi të shënohej nga transgjinorja grua Gwendolyn Ann Smith, me qëllim të rikujtimit të vrasjes së transgruas Rita Hester në Allston të Massachusetts. Qysh nga atëherë, kjo datë fitoi rëndësinë e vet, dhe më vonë ngadalë evuloi si projekt i web-bazuar, filluar nga Smith, si ditë aktive ndërkombëtare.  Në vitin 2010, Tdor u observua në 185 qytete, në më se 20 shtete.

Përkujtimi Tdor, përfshin leximin e emrave të transgjinorëve të vrarë atë vit, dhe mund poashtu të ketë aktivitete të organizuara, të tilla si ndezje e qirinjëve, shfaqje artistike, shpërndarje ushqimi, shfaqje filmash dhe marshe.

Sipas statistikave të mbledhura nga organizatat aktiviste në botë për çështjet transgjinore, gjatë vitit 2016 janë vrarë 295 persona transgjinor dhe gjini-divers.

Ata sulmohen dhe vriten në mënyra brutale të cilat përfshijnë therrje të shumta me thikë, gjuajtje me gurë, rrahje deri në vdekje, shtënje të shumta me revole, furrje me tel elektrik, djegie etj.

Gjendja e çështjes në Kosovë

Në Kushtetutën e Kosovës, secili person pa marrë parasysh orientimin seksual dhe/apo identitetin gjinor, mbrohet me ligj.

Në vitin 2015, kur u fut në kornizën ligjore të Kosovës edhe mbrojtja ndaj diskriminimit në bazë të identitetit gjinor; pikërisht në këtë vit, kompania IPSOS me bazë në Francë, ka kryer një hulumtim në lidhje më homofobinë në Ballkanin Perëndimor.

Nga ky hulumtim Kosova doli që prinë në Ballkanin Perëndimor si vendi më homofobik në rajon.

Kjo tregon që personat trans dhe personat e orientimeve seksuale të ndryshme në Kosovë, janë të ekspozuar në nivel të lartë të diskriminimit dhe mospranueshmërisë nga familjet dhe shoqëria kosovare.

Ky fakt dëmton personat në fjalë, mirëpo dëmton edhe shoqërinë, pasi që një shoqëri është e fuqishme atëherë kur ndihmojnë dhe pranojnë diversitetin. Kjo pasi që, paqe dhe liri, do të thotë jo veç ndaljes së luftërave dhe dhunës, por edhe të faktorëve tjerë që e kërcënojnë paqen, siç janë diskriminimi dhe jobarazitë.

 

 

*i referohet organit gjenital

Shkarko PDF

 

 

 

 

author: Donjeta Mejtani
copyrights: CEL