Mollë e ndaluar

Të jesh një i ri, homoseksual dhe të flasësh për lidhjet e tua me një mashkull në Kosovë, ironikisht ngjason me të themi ''robërit e mbretit të cilët flasin për dashurinë që kanë ndaj bijës së tij’’.


Është një krahasim që mund të duket qesharak në fillim, por, të rinjtë si unë që janë pjesë e këtij realiteti e kuptojnë shumë mire se për cfarë bëhet fjalë! 
Mbase pikërishtë ky fakt i diqkaje në dukje vështirë të realizueshme, tendencat dhe frustrimi për t’i bërë të mundura, qoftë lidhjet apo edhe thjeshtë takimet me meshkuj vetëm sa vijnë e rriten.


‘’Mund të shihemi vetëm pas orës dhjetë’’, ‘’ Është mirë t’i reduktojmë shetitjet e panevojshme në rrugët ku mund të biem në sy’’, ‘’Mund të takohemi vetëm në X vende apo rrethana’’, ‘’Kujdes se cfarë mesazhe më dërgon në celular’’, ‘’ Nëse më flet në Facebook, kujdes të mos ketë përmbajtje gay mesazhi që më dërgon’’, etj, janë frazat e zakonshme të cilat vijnë menjëherë pas njoftimit me një mashkull.
Fatkeqsisht këto ‘’fraza’ , të cilat janë shndërruar edhe në stil të të jetuarit për të meshkujt gej në Kosovë, ndonjëherë dijnë edhe të të lodhin dhe të të demotivojnë në dëshirën për të funksionuar në një lidhje me partnerin e dëshiruar.


Kështu me e pa dashje, edhe në qoftë se je më romantik se në kohën e romantizmit, nga nevoja bëhesh pjesë e takimeve me qëllim të përfundimit në shtrat dhe kalimit të pak qasteve ‘’under-ground’’ me dikë që mbase do të doje të putheshe mu në mes të qytetit.
Më kujtohet takimi më i bukur i jetës simë, dy vite më pare, takim i cili erdhi pas një bisede në Facebook- profilin tim të rrejshëm, sigurisht! Që në fillim të bisedës më dukej ndryshe dhe fjalë pas fjale, pa u parë fare në kamerë, mbase për shkak të respektit që krijuam gjatë bisedës, vendosëm të takoheshim. ‘’Si të them, unë jam shumë i bukur’’, më tha, i thash ‘’ Të siguroj që jam nëse jo më i bukur, atëherë po aq i bukur sa ti’’, si në shaka. U takuam në vendin e caktuar dhe nuk na u dashtë shumë për të arritur deri tek nevoja për intimitet. Po të mundesha do i transferoja të gjithë banorët e Prishtinës diku vetëm atë natë, në mënyrë që të shijonim gjiithcka vetëm ne të dy. Por rrethanat dhe vendi, mentaliteti apo cfaredoqofte nuk na penguan që ta realizonim dëshirën që ishte e kjartë që në fjalët e para që shkëmbyem gjatë takimit. Ishim të gatshëm të kishim një lidhje të gjatë, por, sigurishtë që komplikimet filluan të trokasin edhe në rastin tonë.


‘’Mos më përshendet nëse me sheh me X personin, sepse e njeh babin tim dhe ai më kontrollon shumë në shoqëri’’, ‘’ Kujdes me afërsinë që shfaqim kur jemi në fakultet, sepse njerëzve mundë të u biejm në sy’’, ‘’Pse u dash të ma dërgoje atë mesazh në celular me atë tekst?!’’,’’ Nuk mund të dalim për kafe te filan bari, sepse më duket që kamarierat kanë kuptuar cfarë jemi dhe po na shikojnë quditshëm ‘’.
Ishin këto dhe shumë gjëra tjera, të cilat , të shtyrë nga rrethanat u desht të i themi njëri-tjetrit dhe të cilat filluan të ndikonin në idenë për të pasur një lidhje monogamike.


Ndonjëherë vështirësitë e tilla shërbejnë si nxitje për të luftuar drejtë realizimit të jetës së lirë, në mënyrën se si ne dëshirojmë. Mua personalisht, pikërishtë këto gjëra më nxisin që të këmbëngulë derisa të vijë momenti kur t’ua prezantoj të dashurin tim secilit që e takoj, apo thjeshtë të mos kem nevojë për kujdes se po më sheh X personi apo dicka të tillë.
‘’ Molla e ndaluar’’, gjithmonë e ka fuqinë dhe sharmin më të madh se të asaj të cilës mund ta kafshosh i lirë, e sidomos kur dëshira vie thellë nga brendësia.